Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 97

97 Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.

Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.

Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.

Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.

Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.

Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.

U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.

Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot.

Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve.

11 Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.

12 Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.

Eksodi 32:15-35

15 Atëherë Moisiu u kthye dhe zbriti nga mali me dy pllakat e dëshmisë në duar, pllaka të shkruara nga të dy anët, si përpara ashtu edhe prapa.

16 Pllakat ishin vepër e Perëndisë dhe shkrimi i tyre ishte shkrimi i Perëndisë, i gdhendur mbi pllakat.

17 Por Jozueu, duke dëgjuar britmën e popullit që bërtiste, i tha Moisiut: Ka një zhurmë lufte në kampp".

18 Por ai u përgjigj: "Kjo nuk është as një britmë fitoreje, as një britmë humbjeje; britma që unë dëgjoj është e njerëzve që këndojnë".

19 Si iu afrua kampit, pa viçin dhe vallet; atëherë Moisiu u ndez nga zemërimi dhe ai i hodhi pllakat nga duart e tij dhe i theu në këmbët e malit.

20 Pastaj mori viçin që ata kishin bërë, e dogji në zjarr dhe e bëri pluhur; pastaj e përhapi pluhurin në ujë dhe ia dha për të pirë bijve të Izraelit.

21 Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Çfarë të ka bërë ky popull, të cilin e ke ngarkuar me një mëkat kaq të madh?".

22 Aaroni u përgjigj: "Zemërimi i zotërisë sime të mos ndizet, ti vetë e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirur ndaj së keqes.

23 Ata më kanë thënë: "Na bëj një perëndi që të shkojë para nesh, sepse Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë se çfarë i ka ndodhur".

24 Atëherë unë u thashë atyre: "Kush ka ar të mos e mbajë me vete". Kështu ata ma dhanë mua dhe unë e hodha në zjarr, dhe na doli ky viç".

25 Kur Moisiu pa që populli ishte pa fre (dhe Aaroni e kishte lënë të shfrenohej duke e ekspozuar në turpin e armiqve të tij),

26 u ndal në hyrje të kampit dhe tha: "Kushdo që është me Zotin, le të vijë tek unë!". Dhe të gjithë bijtë e Levit u mblodhën pranë tij.

27 Dhe ai u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Secili prej jush të vërë shpatën në krahun e tij; kaloni dhe rikaloni nga një hyrje e kampit në tjetrën, secili të vrasë vëllanë e tij, mikun e tij, fqinjin e tij!"".

28 Bijtë e Levit bënë ashtu siç u kishte thënë Moisiu, dhe atë ditë ranë rreth tre mijë njerëz.

29 Pastaj Moisiu tha: "Shenjtërohuni sot Zotit, që ai t’ju japë një bekim, sepse secili prej jush ka qënë kundër birit të tij dhe vëllait të tij".

30 Të nesërmen Moisiu i tha popullit: "Ju keni bërë një mëkat të madh; por tani unë do të ngjitem tek Zoti; ndofta do të mund të bëj shlyerjen për mëkatin tuaj".

31 Moisiu u kthye, pra, te Zoti dhe tha: "Medet, ky popull ka kryer një mëkat të madh dhe ka bërë për vete një perëndi prej ari.

32 Megjithatë tani, të lutem, falua mëkatin e tyre; përndryshe, më fshi nga libri yt që ke shkruar!".

33 Por Zoti iu përgjegj Moisiut: "Atë që ka bërë mëkat kundër meje, atë do ta fshij nga libri im!

34 Tani shko, çoje popullin ku të kam thënë. Ja, Engjëlli im do të shkoj para teje, por ditën që do të vij për t’i dënuar, do t’i dënoj për mëkatin e tyre".

35 Kështu Zoti goditi popullin, sepse kishte bërë viçin që Aaroni kishte modeluar.

Juda 17-25

17 Por ju, shumë të dashur, mbani mend fjalët që ju kanë parathënë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht.

18 Ata ju thoshnin që në kohën e fundit do të ketë tallës që do të ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë.

19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën.

20 Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë,

21 ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme.

22 Dhe kini dhemshuri për njëri duke përdorur dallim,

23 por shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit, dhe duke urryer edhe rroben e ndotur nga mishi.

24 Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim,

25 të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë. Amen.