Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 42

42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.

Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?

Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.

Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.

O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.

Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.

Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.

Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".

10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

Eksodi 18:13-27

13 Por ndodhi që, të nesërmen, Moisiu u ul për të gjykuar popullin; populli u mblodh rreth Moisiut që nga mëngjesi deri në mbrëmje.

14 Kur vjehrri i Moisiut pa të gjitha ato që ky bënte për popullin, tha: Ç’është kjo që bën ti me popullin? Pse ulesh vetëm, dhe tërë populli të rrii përqark nga mëngjesi deri në mbrëmje?".

15 Moisiu iu përgjigj vjehrrit të tij: "Sepse populli vjen tek unë për t’u këshilluar me Perëndinë.

16 Kur ata kanë ndonjë problem, vinë tek unë, dhe unë gjykoj njërin dhe tjetrin dhe u bëj të njohur kanunet e Perëndisë dhe ligjet e tij".

17 Por vjehrri i Moisiut i tha: "Ajo që bën ti nuk shkon mirë.

18 Do të rraskapitesh më në fund, ti dhe ky popull që është me ty, sepse detyra që ke marrë përsipër është shumë e vështirë. Nuk mund t’ia dalësh në krye vetëm.

19 Tani dëgjomë; unë do të të jap një këshillë dhe Perëndia qoftë me ty: përfaqësoje ti popullin përpara Perëndisë dhe paraqitja Perëndisë problemet e tyre.

20 Mësoju atyre statutet dhe ligjet dhe tregohu rrugën nëpër të cilën duhet të ecin dhe atë që duhet të bëjnë.

21 Por zgjidh në mes të të gjithë popullit disa njerëz të aftë që kanë frikë nga Perëndia, njerëz të besuar, që e urrejnë fitimin e padrejtë dhe vendosi mbi popullin si krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetrave dhe krerë të dhjetrave.

22 Dhe lejo që të jenë ata që do ta gjykojnë popullin në çdo kohë; ata do të të parashtrojnë çdo problem me rëndësi të madhe, ndërsa për probleme të vogla do të vendosin vetë. Kështu do të jetë më lehtë për ty, dhe ata do ta mbajnë peshën bashkë me ty.

23 Në qoftë se ti vepron kështu, dhe kështu të urdhëron Perëndia, mund të mbahesh; dhe tërë ky popull do të arrijë faqebardhë në vendin e caktuar për të".

24 Moisiu e dëgjoi zërin e vjehrrit të tij, dhe bëri gjithçka që i kishte thënë.

25 Kështu Moisiu zgjodhi në tërë Izraelin disa njerëz të aftë dhe i vuri si krerë të popullit: krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetrave dhe krerë të dhjetrave.

26 Kështu ata e gjykonin popullin në çdo kohë; çështjet e vështira ia parashtronin Moisiut, por çdo problem të vogël e zgjidhnin vetë.

27 Pastaj Moisiu u nda nga vjehrri i tij, i cili u kthye në vendin e vet.

Filipianëve 1:15-21

15 Disa me të vërtetë predikojnë Krishtin edhe për smirë dhe për grindje, por disa të tjerë me vullnet të mirë.

16 Këta e predikojnë Krishtin për grindje, me qëllime jo të pastra, duke menduar që t’u shtojnë pikëllimin vargonjve të mia.

17 kurse ata e bëjnë nga dashuria, duke ditur se unë jam vënë për mbrojtjen e ungjillit.

18 Ç’rëndësi ka? Sido që të jetë, me shtirje o sinqerisht, Krishti shpallet; dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem.

19 E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe me ndihmën e Frymës së Jezu Krishtit,

20 sipas të priturit tim me padurim dhe me shpresë, se unë nuk do të turpërohem në asnjë gjë, por me çdo guxim, tani si gjithmonë, Krishti do të madhërohet në trupin tim, ose me jetën ose me vdekjen.

21 Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim.