Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
19 Atëherë Engjëlli i Perëndisë, që ecte përpara kampit të Izraelit, u zhvendos dhe shkoi e u vu prapa tyre; edhe kolona e reve lëvizi nga përpara dhe shkoi e u vu prapa tyre.
20 Dhe kështu vajti e u vendos midis fushimit të Egjiptit dhe fushimit të Izraelit; dhe reja prodhonte errësirë për njërën palë, ndërsa u jepte dritë të tjerëve natën. Kështu tërë natën kurrkush nuk iu afrua tjetrit.
21 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; dhe Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë.
22 Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre.
23 Dhe Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt e Faraonit, qerret e tij dhe kalorësit e tij hynë pas tyre në mes të detit.
24 Aty nga agimi i mëngjesit ndodhi që Zoti i hodhi sytë në kampin e Egjiptasve nga kolona e zjarrit dhe nga reja, dhe i dha dërmën.
25 Ai bëri të shkëputen rotat e qerreve të tyre dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre. Kështu Egjiptasit thanë: "T’ia mbathim para Izraelit, sepse Zoti lufton bashkë me ta kundër Egjiptasve".
26 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi detin, me qëllim që ujërat e tij të kthehen mbi Egjiptasit, mbi qerret dhe kalorësit e tyre".
27 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; kështu në të gdhirë, deti u kthye në vendin e tij të zakonshëm; Egjiptasit ikën para tij; dhe Zoti i përlau Egjiptasit në mes të detit.
28 Ujërat u kthyen dhe mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit që kishin hyrë në det për të ndjekur Izraelitët; dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre.
29 Por bijtë e Izraelit vazhduan të ecnin në tokë të thatë në mes të detit, dhe ujërat qenë për ta si një mur, në të djathtë të tyre dhe në të majtë të tyre.
30 Kështu, atë ditë, Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e Egjiptasve, dhe Izraeli pa mbi bregun e detit Egjiptasit e vdekur.
31 Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte treguar kundër Egjiptasve, dhe populli pati frikë nga Zoti dhe besoi te Zoti dhe te Moisiu shërbëtor i tij.
114 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,
2 Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.
3 Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.
4 Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.
5 Ç’pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?
6 Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?
7 Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,
8 që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.
15 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan këtë kantik Zotit dhe folën duke thënë: "Unë do t’i këndoj Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës.
2 Zoti është forca ime dhe kantiku im, ka qënë shpëtimi im. Ky është Perëndia im, unë do ta përlëvdoj; është Perëndia i atit tim, unë do ta lartësoj.
3 Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti.
4 Ai hodhi në det qerret e Faraonit dhe ushtrinë e tij, luftëtarët më të mirë të tij u mbytën në Detin e Kuq.
5 Ata mbulohen nga humnera; ranë në fund si një gur.
6 E djathta jote, o Zot, është e mrekullueshme në fuqinë e saj. E djathta jote, o Zot, i dërmoi armiqtë.
7 Me madhështinë e madhërisë sate, ti i përmbys ata që ngrihen kundër teje; ti nxjer jashtë zemërimin tënd, ai i prish ata sikur të ishin kallamishte.
8 Sa të shfrysh nga vrimat e hundëve, ujërat janë grumbulluar, valët janë ngritur si një mur, dhe dallgët janë përforcuar në zemrën e detit.
9 Armiku thoshte: "Do t’i ndjek, do t’i arrij, do të ndaj kufomat, lakmia ime do të ngopet mbi ta; do të zhvesh shpatën time, dora ime do t’i shfarosë".
10 Po ti dërgove jashtë frymën tënde dhe deti i mbuloi; u mbytën si plumbi në ujërat e fuqishme.
11 Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?
20 Atëherë profetesha Miriam, motra e Aaronit, mori në dorë dajren, dhe të gjitha gratë e ndoqën nga pas me dajre dhe me valle.
21 Dhe Miriami u këndonte atyre: "Këndojini Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës".
14 Pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për mendimet.
2 Dikush mendon se mund të hajë nga çdo gjë, ndërsa ai që është i dobët ha vetëm barishte.
3 Ai që ha të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar.
4 Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit? A qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e zotit të tij, por ai do të qëndrojë, sepse Perëndia është i zoti ta bëjë atë të qëndrojë në këmbë.
5 Sepse dikush e çmon një ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i çmon të gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij.
6 Ai që e çmon ditën, për Zotin e çmon; ai që nuk e çmon ditën, për Zotin nuk e ruan; kush ha, për Zotin ha dhe i falet nderit Perëndisë; dhe kush nuk ha, për Zotin nuk ha dhe i falet nderit Perëndisë.
7 Sepse asnjë nga ne nuk jeton për veten e tij dhe askush nuk vdes për veten e tij,
8 sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi.
9 Sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët.
10 Por ti, pse e gjykon vëllanë tënd? Ose përse e përbuz vëllanë tënd? Të gjithë, pra, do të dalim përpara gjykatës së Krishtit.
11 Sepse është shkruar: “Rroj unë, thotë Perëndia, se çdo gjë do të ulet para meje, dhe çdo gjuhë do ta lavdërojë Perëndinë!.”
12 Kështu, pra, secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet.
21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: “Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?.”
22 Jezusi i tha: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.
23 Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.
24 Mbasi filloi t’i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta.
25 Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç’kishte, dhe të shlyejë detyrimin.
26 Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t’i paguaj të gjitha".
27 I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin.
28 Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke".
29 Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: Ki durim me mua, dhe do t’i paguaj të gjithaa".
30 Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg deri sa ai ta shlyente detyrimin.
31 Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur.
32 Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m’u lute.
33 A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?".
34 Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin.
35 Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij.”