Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 114

114 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,

Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.

Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.

Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.

Ç’pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?

Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?

Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,

që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.

Eksodi 14:1-18

14 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

"U thuaj bijve të Izraelit të kthehen prapa dhe të vendosin kampin e tyre përballë Pi-Hahirothit, midis Migdolit dhe detit, përballë Baal-Tsefonit; vendosni kampin tuaj përpara këtij vendi pranë detit.

Atëherë Faraoni do të thotë për bijtë e Izraelit: "Ata po enden si të humbur në vend; shkretëtira i mban të mbyllur".

Dhe unë do ta ngurtësoj zemrën e Faraonit, dhe ai do t’i ndjekë ata; por unë do të siguroj lavdi nga Faraoni dhe nga gjithë ushtria e tij, dhe Egjiptasit do të mësojnë që unë jam Zoti". Dhe ata ashtu vepruan.

Pastaj iu njoftua mbretit të Egjiptit që populli kishte ikur; dhe zemra e Faraonit dhe e shërbëtorëve të tij ndryshoi kundrejt popullit, dhe ata thanë: "Ç’bëmë që e lamë Izraelin të ikë nga shërbimi ynë?".

Kështu Faraoni bëri që të përgatitej qerrja e tij dhe mori me vete popullin e tij.

Mori dhe gjashtëqind qerre të zgjedhura dhe tërë qerret e Egjiptit, me luftëtarë në secilin prej tyre.

Dhe Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ai i ndoqi bijtë e Izraelit, që dilnin plot trimëri.

Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt, qerret e Faraonit, kalorësit e tij dhe ushtria e tij i arritën kur kishin fushuar pranë detit, në afërsi të Pi-Hahirothit, përballë Baal-Tsefonit.

10 Ndërsa Faraoni po afrohej, bijtë e Izraelit ngritën sytë; dhe ja, Egjiptasit marshonin prapa tyre, prandaj patën shumë frikë; dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit,

11 dhe i thanë Moisiut: "Pse, nuk kishte varre në Egjipt, që na solle të vdesim në shkretëtirë? Pse e bëre këtë gjë me ne, duke na nxjerrë nga Egjipti?

12 A nuk ishte vallë kjo për të cilën të flisnim në Egjipt, duke të thënë: Na lër rehat, kështu do të mund t’u shërbejmë Egjiptasvee"? Sepse për ne do të qe më mirë t’u shërbenim Egjiptasve se sa të vdesim në shkretëtirë".

13 Por Moisiu i tha popullit: "Mos kini frikë, qëndroni dhe çlirimi do të vijë nga Zoti, i cili do ta bëjë sot për ju; sepse Egjiptasit që shihni sot, nuk do t’i shihni më kurrë.

14 Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë".

15 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Pse më bërtet mua? U thuaj bijve të Izraelit të shkojnë përpara.

16 Dhe ti ço lart bastunin tënd, shtrije dorën mbi det dhe ndaje atë, në mënyrë që bijtë e Izraelit të mund të kalojnë në mes të detit në të thatë.

17 Sa për mua, unë do ta ngurtësoj zemrën e Egjiptasve, dhe këta do t’i ndjekin ata. Kështu unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga tërë ushtria e tij, nga qerret dhe kalorësit e tij.

18 Dhe Egjiptasit do të dinë që unë jam Zoti, kur unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga qerret e tij dhe nga kalorësit e tij".

Veprat e Apostujve 7:9-16

Patriarkët, duke pasur smirë Jozefin, e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të;

10 dhe e shpëtoi nga të gjitha mundimet e tij dhe i dha hir e urtësi para Faraonit, mbretit të Egjiptit, i cili e caktoi guvernator të Egjiptit dhe të mbarë shtëpisë së tij.

11 Por ra një zi buke dhe u bë një shtrëngesë në gjithë vendin e Egjiptit dhe të Kanaanit, dhe etërit tanë nuk gjenin ushqime.

12 Por Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dhe dërgoi atje herën e parë etërit tanë.

13 Herën e dytë Jozefi u tregoi që ta njihnin vëllezërit e tij dhe Faraonit iu njoftua farefisnia e Jozefit.

14 Atëherë Jozefi dërgoi ta thërresin atin e vet Jakobin dhe gjithë farefisin e vet, gjithsej shtatëdhjetë e pesë veta.

15 Jakobi zbriti në Egjipt, ku vdiq ai dhe etërit tanë.

16 Ata pastaj i mbartën në Sikem dhe i varrosën në varrin që Abrahami pati blerë me argjend nga bijtë e Emorit, ati i Sikemit.