Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 83:1-4

83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!

Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.

Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.

Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".

Psalmet 83:13-18

13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.

14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,

15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.

16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.

17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;

18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.

Eksodi 7:14-25

14 Zoti i tha Moisiut: "Zemra e Faraonit është ngulmuese;

15 ai nuk pranon ta lërë popullin të shkojë. Shko te Faraoni nesër në mëngjes, kur ai ka për të dalë për të vajtur drejt ujit. Ti do të qëndrosh ta presësh në breg të lumit dhe do të marrësh në dorë bastunin që është shndërruar në gjarpër.

16 Dhe do t’i thuash: "Zoti, Perëndia i Hebrenjve, më ka dërguar te ti që të të them: Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë në shkretëtirë; por ja, deri tani nuk ke dëgjuar".

17 Kështu thotë Zoti: "Nga kjo do të kuptosh që unë jam Zoti; ja, me bastunin që kam në dorë unë do të rrah ujërat që janë në lumë, dhe ato do të shndërrohen në gjak.

18 Dhe peshqit që janë në lumë do të ngordhin, lumi do të mbajë erë të keqe, dhe Egjiptasve do t’u vijë ndot të pinë ujin e lumit"".

19 Dhe Zoti i tha Moisiut: "Thuaji Aaronit: "Merr bastunin tënd dhe shtrije dorën mbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenjtë e tij, mbi kanalet e tij, mbi pellgjet e tij dhe mbi të gjitha depot e ujit; kështu ato do të bëhen gjak. Dhe do të ketë gjak në të gjithë vendin e Egjiptit, si në enët prej druri ashtu dhe në enët prej guri"".

20 Moisiu dhe Aaroni vepruan ashtu, pikërisht siç i kishte urdhëruar Zoti. Kështu ai ngriti bastunin dhe rrahu ujërat që ndodheshin në lumë, para syve të Faraonit dhe para syve të shërbëtorëve të tij; dhe të gjitha ujërat që ishin në lumë u shndërruan në gjak.

21 Dhe peshqit që ishin në lumë ngordhën; dhe lumi u qelb, kështu që Egjiptasit nuk mund të pinin më ujët e lumit. Kështu pati gjak në tërë vendin e Egjiptit.

22 Por magjistarët e Egjiptit bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta; dhe zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte thënë Zoti.

23 Pas kësaj Faraoni ktheu krahët dhe u drejtua nga shtëpia e tij; dhe nuk i dha rëndësi as kësaj gjëje.

24 Dhe tërë Egjiptasit gërmuan në afërsi të lumit për të kërkuar ujë të pijshëm, sepse nuk mund të pinin ujin e lumit.

25 Kaluan kështu shtatë ditë, që kur Zoti kishte rrahur lumin.

Mateu 12:22-32

22 Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.

23 Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: “A mos është ky i Biri i Davidit?.”

24 Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve.”

25 Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: “Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.

26 Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?

27 Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.

28 Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.

29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t’i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

30 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.

31 Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t’u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t’u falet atyre.

32 Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme.”