Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
8 Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!
2 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.
3 Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,
4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?
5 Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!
7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,
8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.
9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!
1 Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt me Jakobin. Secili prej tyre erdhi me familjen e tij:
2 Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda,
3 Isakari, Zabuloni dhe Beniamini,
4 Dani dhe Naftali, Gadi dhe Asheri.
5 Tërë njerëzit që kishin dalë nga gjaku i Jakobit arrinin shtatëdhjetë veta (Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt).
6 Pastaj Jozefi vdiq, dhe po ashtu vdiqën tërë vëllezërit e tij dhe gjithë ai brez.
7 Dhe bijtë e Izraelit qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta.
2 Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra.
2 Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla.
3 Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t’i shpëtosh gjykimit të Perëndisë?
4 Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?
5 Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë,
6 që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij:
7 jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira;
8 ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim.
9 Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut;
10 por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut.
11 Sepse te Perëndia nuk ka anësi.