Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.
3 Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.
4 Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.
5 Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.
6 I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.
7 Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.
8 Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.
9 Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.
39 Ndërkaq Jozefi u çua në Egjipt; dhe Potifari, oficeri i Faraonit dhe kapiten i rojeve, një egjiptas, e bleu nga Ismaelitët që e kishin sjellë atje.
2 Zoti qe me Jozefin, dhe ky pasurohej dhe banonte në shtëpinë e zotërisë së tij, egjiptasit.
3 Dhe zotëria e tij e pa që Zoti qe me të dhe që Zoti e sillte mbarë në duart e tij gjithçka bënte.
4 Kështu Jozefi fitoi hir në sytë e atij dhe hyri në shërbimin personal të Potifarit, që e emëroi kryeadministrator të shtëpisë së tij dhe i la në dorë gjithçka zotëronte.
5 Nga çasti që e bëri kryeadministrator të shtëpisë së tij dhe për gjithçka që zotëronte, Zoti e bekoi shtëpinë e egjiptasit për shkak të Jozefit; dhe bekimi i Zotit përfshiu gjithçka ai kishte në shtëpi dhe në fushë.
6 Kështu Potifari la gjithçka kishte në dorë të Jozefit dhe nuk shqetësohej më për asgjë, përveç ushqimit të vet. Dhe Jozefi ishte i bukur nga forma dhe kishte një pamje tërheqëse.
7 Mbas gjithë këtyre gjërave, gruaja e zotërisë së tij ia vuri sytë Jozefit dhe i tha: "Bjerë e fli me mua".
8 Por ai e refuzoi dhe i tha gruas së zotërisë së tij: "Ja, zotëria ime nuk shqetësohet për ato që ka lënë në shtëpi me mua dhe ka lënë në duart e mia gjithçka zotëron.
9 Nuk ka asnjë më të madh se unë në këtë shtëpi; ai nuk më ka ndaluar asgjë veç teje, sepse je gruaja e tij. Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?".
10 Me gjithë faktin që ajo i fliste Jozefit për këtë gjë çdo ditë, ai nuk pranoi të binte në shtrat me të dhe t’i jepej asaj.
11 Një ditë ndodhi që ai hyri në shtëpi për të bërë punën e tij, dhe nuk ndodhej në shtëpi asnjë prej shërbëtorëve.
12 Atëherë ajo e kapi nga rrobat dhe i tha: "Eja të shtrihesh me mua". Por ai ia la në dorë rroben e tij, iku duke vrapuar jashtë.
13 Kur ajo pa që ai ia kishte lënë në dorë rroben e tij dhe kishte ikur jashtë,
14 thirri shërbëtorët e vet dhe u tha: "Shikoni, ai na solli në shtëpi një hebre për t’u tallur me ne; ai erdhi tek unë për të rënë me mua, por unë bërtita me të madhe.
15 Me të dëgjuar që unë ngrita zërin dhe fillova të bërtas, ai la rrobën e tij pranë meje, iku dhe vrapoi jashtë".
16 Kështu ajo mbajti pranë saj rroben e tij, deri sa u kthye në shtëpi zotëria e saj.
17 Atëherë ajo i foli në këtë mënyrë: "Ai shërbëtor hebre, që ti na solle, erdhi tek unë për të më vënë në lojë.
18 Por sa ngrita zërin dhe bërtita, ai la rroben pranë meje dhe iku jashtë".
19 Kështu, kur zotëria e saj dëgjoi fjalët e gruas së vet që i fliste në këtë mënyrë duke thënë: "Shërbëtori yt më ka bërë këtë gjë!," ai u inatos.
20 Atëherë zotëria e Jozefit e mori dhe e futi në burg, në vendin ku ishin mbyllur të burgosurit e mbretit. Kështu ai mbeti në atë burg.
21 Por Zoti qe me Jozefin dhe u tregua dashamirës ndaj tij, duke bërë që t’i hynte në zemër drejtorit të burgut.
22 Kështu drejtori i burgut i besoi Jozefit tërë të burgosurit që ndodheshin në burg; dhe ai ishte përgjegjës për të gjitha që bëheshin aty brënda.
23 Drejtori i burgut nuk kontrollonte më asgjë nga ato që i ishin besuar Jozefit, sepse Zoti ishte me të, dhe Zoti e bënte të mbarë gjithçka që ai bënte.
14 Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak!
15 Ai i thotë në fakt Moisiut: “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri.”
16 Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.
17 Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: “Pikërisht për këtë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun.”
18 Kështu ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do.
19 Ti do të më thuash, pra: “Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në fakt, t’i rezistojë vullnetit të tij?.”
20 Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t’i thotë ena mjeshtrit: “Përse më bërë kështu?.”
21 A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjitën për të bërë nga po ai brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim?
22 Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje?
23 Dhe që të bëjë të njohur pasuritë e lavdisë së tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi,
24 mbi ne, që edhe na thirri, jo vetëm nga Judenjtë, por edhe nga johebrenjtë?
25 Ashtu si thotë ai te Osea: “Unë do ta quaj popullin tim atë që s’ka qenë populli im dhe të dashur atë të mosdashurin.
26 Dhe do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: "Ju nuk jeni populli im," atje do të quheni bij të Perëndisë së gjallë.”
27 Por Isaia thërret për Izraelin: “Edhe sikur të ishte numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, vetëm mbetja e tij do të shpëtohet.”
28 Në fakt ai do ta realizojë vendimin e tij me drejtësi, sepse Zoti do ta realizojë dhe do ta përshpejtojë vendimin e tij mbi tokë.
29 Dhe ashtu si profetizoi Isaia: “Në qoftë se Perëndia i ushtrive nuk do të na kishte lënë farë, do të ishim bërë si Sodoma dhe do t’i kishim ngjarë Gomorës.”