Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.
3 Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.
4 Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.
5 Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.
6 I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.
7 Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.
8 Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.
9 Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.
29 Rubeni u kthye te pusi, por Jozefi nuk ishte më në pus. Atëherë ai i çorri rrobat e tij.
30 Pastaj u kthye te vëllezërit e tij dhe tha: "Djali nuk është më; po unë, ku do të shkoj unë?".
31 Kështu ata muarën rrobën e gjatë të Jozefit, therën një cjap dhe e futën rrobën në gjak.
32 Pastaj e çuan rrobën te babai dhe i thanë: "Kemi gjetur këtë; shiko pak nëse është rrobja e birit tënd".
33 Dhe ai e njohu dhe tha: "Éshtë rrobja e tim biri, e ka ngrënë ndonjë kafshë e egër; me siguri Jozefin e kanë bërë copë e çikë".
34 Atëherë Jakobi i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij shumë ditë.
35 Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet dhe tha: "Unë do të zbres në Sheol pranë birit tim për të mbajtur zi". Kështu e qau i ati.
36 Ndërkaq Madianitët e shitën Jozefin në Egjipt dhe ia shitën Potifarit, oficer i Faraonit dhe kapiten i rojeve.
4 Sepse, në qoftë se Perëndia nuk i kurseu ëngjëjt që mëkatuan, por i hodhi në tartar të lidhur me pranga terri që të ruhen për gjyq;
5 dhe nuk kurseu botën e lashtë, por shpëtoi bashkë me shtatë të tjerë Noeun, predikues të drejtësisë, kur solli përmbytjen mbi botën e të pabesëve,
6 edhe dënoi me shkatërrim qytetet e Sodomës dhe të Gomorës, duke i bërë hi, dhe i bëri shëmbull për ata që në të ardhmen do të jetonin pabesisht,
7 dhe e liroi të drejtin Lot, që helmohej nga sjellja imorale e këtyre të çoroditurve
8 (sepse ky i drejtë banonte në mes tyre e mundonte për ditë shpirtin e tij të drejtë duke shikuar dhe duke dëgjuar veprat e tyre të poshtra),
9 Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit dhe t’i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjyqit,
10 sidomos ata që shkojnë pas mishit në lakminë e fëlliqësisë dhe e përbuzin pushtetin. Ata janë të paturpshëm, arrogant dhe nuk druajnë të blasfemojnë dinjitetet;