Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Zanafilla 12:1-9

12 Por Zoti i tha Abramit: "Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj.

Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim.

Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës".

Atëherë Abrami u nis siç i kishte thënë Zoti dhe Loti shkoi me të. Abrami ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur u nis nga Harani.

Dhe Abrami mori me vete Sarajn, gruan e tij, dhe Lotin, birin e të vëllait, dhe të gjithë pasurinë që kishin grumbulluar dhe personat që kishin blerë në Haran, dhe u nisën për të vajtur në vendin e Kanaanëve. Kështu ata arritën në vendin e Kanaanit.

Abrami e kapërceu vendin deri te lokaliteti i Sikemit, deri tek lisi i Morehut. Në atë kohë ndodheshin në atë vend Kanaanejtë.

Atëherë u shfaq Zoti përpara Abramit dhe i tha: "Unë do t’ja jap këtë vend pasardhësve të tu". Atëherë Abrami i ndërtoi aty një altar Zotit që i ishte shfaqur.

Së këtejmi u zhvendos drejt malit në lindje të Bethelit dhe ngriti çadrat e tij, duke pasur Bethelin në jug dhe Ainë në lindje; dhe ndërtoi aty një altar kushtuar Zotit dhe i bëri thirrje emrit të Zotit.

Pastaj Abrami filloi një udhëtim, duke vazhduar të zhvendoset në drejtim të Negevit.

Psalmet 33:1-12

33 Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.

Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.

Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.

Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.

Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.

Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.

Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.

Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.

Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.

10 Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.

11 Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.

12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.

Romakëve 4:13-25

13 Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit.

14 Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet,

15 sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje.

16 Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili

17 (siç është shkruar: “Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve”), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin.

18 Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t’u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: “Kështu do të jetë pasardhja jotë.”

19 Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës.

20 Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë,

21 plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte.

22 Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi.

23 E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar,

24 por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë,

25 i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë.

Mateu 9:9-13

Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: “Ndiqmë!.” Dhe ai u çua dhe e ndoqi.

10 Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij.

11 Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: “Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?.”

12 Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.

13 Tani shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët.”

Mateu 9:18-26

18 Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: “Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë.”

19 Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij.

20 Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobes së tij.

21 Sepse thoshte me vete: “Po të prek vetëm rroben e tij, do të shërohem.”

22 Jezusi u kthye, e pa dhe tha: “Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar.” Dhe që në atë çast gruaja u shërua.

23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte,

24 u tha atyre: “Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle.” Dhe ata e përqeshnin.

25 Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit.

26 Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend.