Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
143 Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde.
2 Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje.
3 Sepse armiku më përndjek, ai e ka rrëzuar deri për tokë jetën time; më detyron të banoj në vende të errëta, ashtu si ata që kanë vdekur prej një kohe të gjatë.
4 Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje, dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim.
5 Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.
6 I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. (Sela)
7 Nxito të më përgjigjesh, o Zot, fryma ime po dobësohet; mos më fshih fytyrën tënde, që të mos bëhem i ngjashëm me ata që zbresin në gropë.
8 Më bëj të ndjej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje.
9 Më çliro nga airmiqtë e mi, o Zot, te ti unë fshihem.
10 Më mëso so ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë.
11 Gjallëromë, o Zot, për hir të emrit tënd; me drejtësinë tënde më shpëto nga fatkeqësia.
12 Në mirësinë tënde shkatërro armiqtë e mi dhe zhduki tërë ata që e pikëllojnë shpirtin tim, sepse unë jam shërbëtori yt.
32 Fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit në vitin e dhjetë të Sedekias, mbretit të Judës, që ishte viti i tetëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit.
2 Ushtria e mbretit të Babilonisë rrethonte atëherë Jeruzalemin dhe profeti Jeremia ishte i mbyllur në oborrin e burgut që ndodhej në shtëpinë e mbretit të Judës.
3 Aty e kishte mbyllur Sedekia, mbreti i Judës, duke thënë: "Përse profetizon, duke thënë: "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e mbretit të Babilonisë dhe ai do ta pushtojë.
4 Sedekia, mbreti i Judës, nuk do të shpëtojë nga duart e Kaldeasve, por me siguri do të bjerë në duart e mbretit të Babilonisë dhe do të flasë ballë për ballë me të dhe do ta shohë me vetë sytë e tij.
5 Pastaj ai do ta çojë Sedekian në Babiloni, ku ai do të qëndrojë deri sa ta vizitoj unë, thotë Zoti. Në qoftë se do të luftoni kundër Kaldeasve nuk do të nxirrni asgjë në krye"!".
6 Atëherë Jeremia tha: "Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
7 Ja, Hanameeli, biri i Shalumit, ungjit tënd, po vjen te ti që të të thotë: "Bli arën time që ndodhet në Anathoth, sepse ti ke të drejtën ta shpengosh duke e blerë"".
8 Prandaj Hanameeli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në oborrin e burgut, sipas fjalës të Zotit, dhe më tha: "Të lutem, bli arën time që ndodhet në Anathoth, në territorin e Beniaminit, sepse ti ke të drejtën e trashëgimisë dhe të drejtën e shpengimit. Blije!". Atëherë e kuptova që kjo ishte fjala e Zotit.
9 Kështu, pra, bleva nga Hanameeli, nga biri i ungjit tim, arën që ndodhej në Anathoth dhe ia peshova paratë; shtatëmbëdhjetë sikla argjendi.
36 Prandaj kështu thotë tani Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me këtë qytet, për të cilin ju thoni: "Ai do t’i jepet në dorë mbretit të Babilonisë, me anë të shpatës, të urisë dhe të murtajës".
37 "Ja, do t’i mbledh nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë gjatë zemërimit tim, tërbimit tim, indinjatës sime të madhe; do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt.
38 Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre.
39 Do t’u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë për të mirën e tyre dhe të bijve të tyre.
40 Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t’u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.
41 Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t’i vendos në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim".
23 Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën
24 duke thënë: “Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t’i lindur trashëgimtarë vëllait të tij.
25 Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet.
26 Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.
27 Në fund vdiq edhe gruaja.
28 Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja.”
29 Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: “Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.
30 Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.
31 Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç’ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë:
32 "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit"? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.”
33 Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij.