Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
27 "Ja, do të vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat do të mbjell shtëpinë e Izraelit dhe shtëpinë e Judës me farë njerëzish dhe me farë kafshësh.
28 Dhe do të ndodhë që ashtu si jam kujdesur për ta për të çrrënjosur, për të shembur dhe për të rrëzuar, për të shkatërruar dhe për të bërë të keqen, po ashtu do të kujdesem për ta për të ndërtuar dhe për të mbjellë," thotë Zoti.
29 "Në ato ditë nuk do të thuhet më: "Etërit kanë ngrënë rrush të papjekur dhe dhëmbët e bijve mbetën të mpirë".
30 Por secili do të vdesë për paudhësinë e tij; kushdo që ha rrush të papjekur do t’i mpihen majat e dhëmbëve.
31 Ja do të vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës;
32 jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre ditën kur i zura për dore për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, sepse ata e shkelën besëlidhjen time, ndonëse unë isha Perëndia i tyre," thotë Zoti.
33 "Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve," thotë Zoti: "Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im.
34 Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: "Njihni Zotin!," sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi," thotë Zoti. "Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre".
97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.
98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.
99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.
100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.
101 Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.
102 Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.
103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.
104 Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.
14 Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove,
15 dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus.
16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi,
17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.
4 Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij:
2 prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë.
3 Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët
4 dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave.
5 Por ti rri syçelë në çdo gjë, duro vuajtjet, kryeje punën e ungjilltarit, përmbushe plotësisht shërbesën tënde.
18 Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur,
2 duke thënë: “Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri.
3 Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: Ma jep të drejtën para kundërshtarit timm".
4 Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: Megjithse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s’kam respekt për asnjeri,,
5 duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t’ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë".”
6 Dhe Zoti tha: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë.
7 Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre?
8 Po, unë ju them se ai do t’ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?.”