Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2 i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3 I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4 Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5 Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6 Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7 Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
8 Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
9 Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.
11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.
12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.
28 Po atë vit, në fillim të mbretërimit të Sedekias, mbret i Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, ndodhi që Hananiahu, bir i Azurit, profetit, që ishte nga Gabaoni, më foli në shtëpinë e Zotit, në prani të priftërinjve dhe të gjithë popullit, duke thënë:
2 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Unë thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë.
3 Brenda dy vjetëve unë do të bëj që të kthehen në këtë vend të gjitha orenditë e shtëpisë së Zotit, që Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, mori nga ky vend dhe i çoi në Babiloni.
4 Do të kthej gjithashtu në këtë vend," thotë Zoti, "Jekoniahun, birin e Jehojakimit, mbret i Judës, me gjithë të internuarit e Judës që kanë shkuar në robëri në Babiloni, sepse do të thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë".
5 Atëherë profeti Jeremia iu përgjigj profetit Hananiah në prani të priftërinjve dhe në prani të të gjithë popullit që gjendej në shtëpinë e Zotit.
6 Profeti Jeremia tha: "Amen! Kështu le të bëjë Zoti! Zoti realizoftë atë që ke profetizuar, duke bërë që të kthehen nga Babilonia në këtë vend orenditë e shtëpisë së Zotit dhe të gjithë ata që janë çuar në robëri!
7 Megjithatë dëgjo tani këtë fjalë që do të të them para veshëve të tu dhe para veshëve të gjithë popullit.
8 Profetët që kanë ardhur para meje dhe para teje, që nga kohët e lashta kanë profetizuar kundër shumë vendeve dhe kundër mbretërive të mëdha, luftën, urinë dhe murtajën.
9 Profeti që profetizon paqen, kur fjala e tij do të realizohet, do të njihet si një profet i vërtetë i dërguar nga Zoti".
10 Atëherë profeti Hananiah mori zgjedhën nga qafa e profetit Jeremia dhe e copëtoi.
11 Pastaj Hananiahu foli në prani të të gjithë popullit, duke thënë: Kështu thotë Zoti: Në këtë mënyrë unë do të thyej zgjedhën ee Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, brenda dy vjetëve, nga qafa e të gjitha kombeve. Profeti Jeremia iku nëpër rrugën e tij.
12 Mbasi profeti Hananiah theu zgjedhën nga qafa e profetit Jeremia, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:
13 "Shko dhe i thuaj Hananiahut: Kështu thotë Zoti: Ti ke thyer disa zgjedha prej druri, por në vendin e tyre ke krijuar zgjedha prej hekuri.
14 Kështu në fakt thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Unë vë një zgjedhë prej hekuri mbi qafën e tërë këtyre kombeve që t’i shërbejnë Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ata do t’i shërbejnë. Atij i kam dhënë gjithashtu kafshët e fushës".
15 Pastaj profeti Jeremia i tha profetit Hananiah: "Dëgjo, Hananiah, Zoti nuk të ka dërguar, dhe ti e ke shtyrë këtë popull t’i besojë gënjeshtrës.
16 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të të përzë nga faqja e dheut. Sivjet ke për të vdekur, sepse ke folur për rebelim kundër Zotit"".
17 Profeti Hananiah vdiq po atë vit, në muajin e shtatë.
12 Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: “Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh.”
13 Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: “Po, e dua, qofsh i pastruar.” Dhe menjëherë lebra iu zhduk.
14 Dhe Jezusi e urdhëroi: “Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t’u shërbejë si dëshmi.”
15 Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t’u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.
16 Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.