Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 72

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.

Numrat 24:15-19

15 Atëherë ai shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Kështu thotë Balaami, bir i Beorit; kështu thotë njeriu sytë e të cilit janë hapur,

16 kështu thotë ai që dëgjon fjalët e Zotit, që njeh shkencën e të Lartit, që sodit vizionin e të Plotfuqishmit, ai që bie por syçelë:

17 E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër: një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli, i cili do ta shtypë Moabin fund e krye dhe do të rrëzojë tërë bijtë e Shethit.

18 Edomi do të bëhet pronë e tij, po ashtu edhe Seiri, armiku i tij, do të bëhet pronë e tij; Izraeli do të kryejë trimërira.

19 Nga Jakobi do të dalë një sundues që do të shfarosë ata qytetarë që kanë mbijetuar.

Luka 1:67-79

67 Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:

68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;

69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë

71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,

72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,

73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,

74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë,

75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.

76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,

77 për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;

78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,

79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes.”