Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.
2 O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.
3 Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.
4 O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.
5 Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.
6 Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.
7 Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.
8 Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.
9 Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.
10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.
15 Dhe tani, o Zoti, Perëndia ynë, që nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me dorë të fuqishme dhe i bëre vetes një emër siç është sot, ne kemi mëkatuar, kemi kryer vepra të liga.
16 O Zot, sipas tërë drejtësisë sate, bëj, të lutem, që zemërimi yt dhe tërbimi yt të largohen nga Jeruzalemi, nga qyteti yt, nga mali yt i shenjtë, për mëkatet tona dhe për paudhësitë e etërve tanë. Jeruzalemi dhe populli yt janë bërë objekt qortimi për tërë ata që na rrethojnë.
17 Prandaj dëgjo, o Perëndia ynë, lutjen e shërbëtorit tënd dhe përgjërimet e tij dhe bëj që të shkëlqejë, për hir të Zotit, fytyra jote mbi shenjtëroren tënde që është e shkretuar.
18 O Perëndia im, vër vesh dhe dëgjo; hap sytë e tu dhe shiko shkretimet tona dhe qytetin ku thirret emri yt, sepse ne nuk paraqesim para teje lutjet tona për veprat tona të drejta, por për dhembshuritë e tua të mëdha.
19 O Zot, dëgjo; Zot, fal; Zot, kushtoji kujdes dhe vepro. Mos mëno, për hir të vetvetes, o Perëndia im, sepse emri yt thirret mbi qytetin tënd dhe mbi popullin tënd".
20 Ndërsa unë po flisja akoma, duke u lutur dhe duke rrëfyer mëkatin tim dhe mëkatin e popullit tim të Izraelit dhe po paraqisja lutjen time para Zotit, Perëndisë tim, për malin e shenjtë të Perëndisë tim,
21 po, ndërsa unë po flisja akoma në lutje, ai njeri, Gabrieli, që e kisha parë në vegim në fillim, i dërguar me fluturim të shpejtë, më arriti në orën e blatimit të mbrëmjes.
22 Ai më mësoi, më foli dhe më tha: "Unë kam ardhur tani, o Daniel, që të të vë në gjendje të kuptosh.
23 Në fillim të lutjeve të tua doli një fjalë dhe unë erdha të ta bëj të njohur, sepse ty të duan shumë. Trego kujdes, pra, për fjalën dhe kupto vegimin:
24 Shtatëdhjetë javë janë caktuar për popullin tënd dhe për qytetin tënd të shenjtë, për të t’i dhënë fund shkeljes, për t’i dhënë fund mëkatit, për të shlyer paudhësinë, për të sjellë një drejtësi të përjetshme, për të vulosur vegimin dhe profecinë, për të vajosur vendin shumë të shenjtë.
25 Prandaj dije dhe kuptoje se, që kur ka dalë urdhri të restaurohet dhe të rindërtohet Jeruzalemi deri te Mesia, princi, do të duhen shtatë javë dhe gjashtëdhjetë e dy javë të tjera; ai do të ndërtohet përsëri me sheshe dhe me ledhe, por në kohëra plot ankth.
4 Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij:
2 prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë.
3 Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët
4 dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave.
5 Por ti rri syçelë në çdo gjë, duro vuajtjet, kryeje punën e ungjilltarit, përmbushe plotësisht shërbesën tënde.