Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
2 Kur Zoti deshi ta çonte në qiell Elian në një shakullinë, Elia u nis nga Gilgali bashkë me Eliseun.
2 Atëherë Elia i tha Eliseut: "Ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më dërgoi deri në Bethel". Por Eliseu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti vetë rron, unë nuk do të lë". Kështu zbritën në Bethel.
3 Dishepujt e profetëve që ishin në Bethel shkuan pastaj ta takojnë Eliseun dhe i thanë: A e di që Zoti do ta çojë sot zotin tënde përmbi ty?". Ai u përgjigj: "Po, e di; heshtni!".
4 Pastaj Elia i tha: "Elise, ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më dërgon në Jeriko". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që ti vetë rron, unë nuk do të të lë". Kështu zbritën në Jeriko.
5 Atëherë dishepujt e profetëve që ishin në Jeriko iu afruan Eliseut dhe i thanë: "A e di që Zoti do ta çojë sot zotin tënd përmbi ty?". Ai u përgjigj: Po, e di; heshtni!!".
6 Pastaj Elia i tha: "Ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më çon në Jordan". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë". Kështu e vazhduan rrugën bashkë.
7 Pesëdhjetë veta nga radhët e dishepujve të profetëve shkuan pas tyre dhe u ndalën përballë tyre, nga larg, ndërsa Elia dhe Eliseu u ndalën në bregun e Jordanit.
8 Atëherë Elia mori mantelin e tij, e mbështolli dhe rahu me të ujërat, që u ndanë andej dhe këndej; kështu kaluan që të dy në të thatë.
9 Mbas kalimit, Elia i tha Eliseut: "Kërko çfarë do që unë të bëj, për ty, para se të më largojnë prej teje". Eliseu u përgjigj: "Të lutem, bëj që një pjesë e dyfishtë e frymës tënde të vijë mbi mua".
10 Elia tha: "Ti ke kërkuar një gjë të vështirë; megjithatë, po të më shohësh kur do të më largojnë prej teje, kjo do të të jepet, përndryshe nuk do ta kesh".
11 Ndërsa ecnin duke folur, ata u ndanë nga njeri tjetri nga një qerre e zjarrtë dhe nga kuaj të zjarrtë, dhe Elia u ngjit në qiell në një shakullinë.
12 Eliseu e pa këtë dhe filloi të bërtasë: "O ati im, o ati im, qerre e Izraelit dhe kalorësia e tij". Pastaj nuk e pa më. Atëherë kapi rrobat e tij dhe i grisi më dysh.
50 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.
2 Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.
3 Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.
4 Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,
5 dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".
6 Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)
3 Dhe, në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin,
4 të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata.
5 Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit,
6 sepse Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë,” është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.
2 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.
3 Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t’i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë.
4 Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin.
5 Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: “Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!.”
6 Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur.
7 Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!.”
8 Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.
9 Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.