Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 65:8-13

Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.

Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.

10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.

11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.

12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.

13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.

Zanafilla 30:25-36

25 Mbas lindjes së Jozefit nga Rakela, Jakobi i tha Labanos: "Më lejo të iki, që të shkoj në shtëpinë time, në vendin tim.

26 Më jep gratë e mia dhe bijtë e mi, për të cilët të kam shërbyer dhe lermë të iki, mbasi ti e njeh mirë shërbimin që të kam bërë".

27 Por Labano i tha: "Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, qëndro, sepse kam prekur me dorë që Zoti më ka bekuar për shkakun tënd".

28 Pastaj tha: "Ma cakto pagesën tënde dhe unë do të ta jap".

29 Jakobi iu përgjegj: "Ti e di si të kam shërbyer, dhe çfarë i ka ndodhur bagëtisë sate në duart e mia.

30 Sepse ajo që ti kishe para se të vija unë ishte pak, por tani është rritur shumë; dhe Zoti të ka bekuar kudo që kam qënë unë. Por tani kur do të punoj edhe për shtëpinë time?".

31 Labano tha: "Sa duhet të të jap?". Jakobi iu përgjigj: "Nuk duhet të më japësh asgjë; në qoftë se ti do të bësh atë që po të them, do të mbetem këtu për të kullotur kopetë e tua dhe për t’u kujdesur për to.

32 Do të kaloj ditën e sotme në mes tërë kopeve të tua dhe do të veçoj të gjitha kafshët laramane dhe pikalarme, të gjithë qingjat e zinj dhe të gjitha dhitë lara-lara ose pika-pika. Dhe këto kafshë do të jenë pagesa ime.

33 Kështu tani e tutje ndershmëria ime do të përgjigjet para teje për personin tim, kur do të vish të kontrollosh pagesën time; çdo bagëti që nuk është laramane a me pika midis dhive dhe çdo qengj jo i zi do të konsiderohet i vjedhur po të gjindet pranë meje".

34 Labano tha: "Mirë, le të bëhet ashtu si thua ti!".

35 dhe po atë ditë veçoi cjeptë vija-vija dhe me pika dhe të gjitha dhitë laramane dhe pika pika, çdo bagëti që kishte një njollë të bardhë apo çdo dele e zezë midis dhenve, dhe ua la bijve të vet.

36 Dhe Labano vendosi një distancë prej tri ditësh me këmbë midis vetes së tij dhe Jakobit; dhe Jakobi kulloste pjesën që mbeti nga kopetë e Labanos.

Jakobit 3:13-18

13 Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë.

14 Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.

15 Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore.

16 Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija,

17 Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite.

18 Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.