Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
15 Pastaj Labano i tha Jakobit: "Pse je fisi im duhet të më shërbesh pa marrë asgjë? Më thuaj sa duhet të jetë paga jote".
16 Tani Labano kishte dy bija: e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela.
17 Lea kishte sy të perënduar, por Rakela ishte e hijshme dhe e pashme.
18 Prandaj Jakobi e donte Rakelën dhe i tha Labanos: "Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël".
19 Labano iu përgjigj: "Më mirë të ta jap ty se sa një njeriu tjetër; rri me mua".
20 Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte.
21 Pastaj Jakobi i tha Labanos: "Më jep gruan time, sepse afati u mbush dhe lejo që të bashkohem me të".
22 Atëherë Labano mblodhi tërë burrat e vendit dhe shtroi një banket.
23 Por, kur ra mbrëmja, ai mori bijën e tij Lea dhe e çoi te Jakobi, që hyri te ajo.
24 Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Zilpah si shërbyese të Leas, bijës së tij.
25 Të nesërmen në mëngjes, ai pa se ishte Lea. Atëherë Jakobi i tha Labanos: "Çfarë më bëre? A nuk të kam shërbyer për Rakelën? Pse më mashtrove?".
26 Labano u përgjegj: "Nuk është zakon të veprohet kështu në vendin tonë, nuk mund të japësh më të voglën para më të madhes.
27 Mbaro javën e kësaj dhe do të japim edhe tjetrën, për shërbimin që do të më bësh për shtatë vjet të tjera".
28 Atëherë Jakobi bëri si i thanë dhe mbaroi javën e Leas; pastaj Labano i dha për grua bijën e tij Rakela.
105 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
2 Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.
3 Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.
4 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.
5 Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,
6 ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.
7 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.
8 Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,
9 besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,
10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,
11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj,"
45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.
128 Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët tij.
2 Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua, do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.
3 Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!
4 Ja, kështu do të bekohet njeriu që ka frikë nga Zoti.
5 Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.
6 Po, pafsh bijtë e bijve të tu. Paqja qoftë mbi Izraelin.
26 Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.
27 Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.
28 Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.
29 Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve.
30 Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.
31 Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?
32 Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?
33 Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.
34 Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.
35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?
36 Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje.”
37 Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.
38 Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme,
39 as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
31 Ai u proposoi atyre një shëmbëlltyre tjetër duke thënë: “Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet.
32 Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj.”
33 Ai u tha atyre një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiejve i ngjan majasë që e merr një grua dhe zë brumë me tri masa miell deri sa brumi të mbruhet plotësisht.”
44 “Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë.
45 Akoma mbretëria e qiejve i ngjan një tregtari që shkon të kërkojë margaritarë të bukur.
46 Dhe, kur gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon dhe shet gjithçka që ka dhe e blen.
47 Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithfarë lloje gjërash.
48 Kur ajo është mbushur, peshkatarët e nxjerrin atë në breg, ulen dhe mbledhin në kosha ç’është e mirë, por i hedhin ata që nuk janë të mirë.
49 Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t’i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët;
50 dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.”
51 Jezusi u tha atyre: “A i kuptuat të gjitha këto?.” Ata i thanë: “Po, Zot.”
52 Dhe ai u tha atyre: “Prandaj çdo skrib, që është mësuar për mbretërinë e qiejve i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra.”