Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.
14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.
15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.
16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.
17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!
18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.
33 Jakobi ngriti sytë, vështroi dhe pa që po vinte Esau, që kishte me vete katërqind burra. Atëherë i ndau bijtë e tij midis Leas, Rakelës dhe dy shërbyeseve të tij.
2 Në krye vuri shërbyeset dhe bijtë e tyre, pastaj Lean dhe bijtë e saj dhe së fundi Rakelën dhe Jozefin.
3 Ai vetë kaloi para tyre dhe u përkul deri në tokë shtatë herë deri sa arriti pranë vëllait të vet.
4 Atëherë Esau vrapoi drejt tij, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi; dhe që të dy qanë.
5 Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët dhe tha: "Kush janë këta me ty?". Jakobi iu përgjigj: "Janë bijtë që Perëndia pati mirësinë t’i japë shërbyesit tënd".
6 Atëherë u afruan shërbyeset, ato dhe bijtë e tyre, dhe u përkulën.
7 U afruan edhe Lea dhe bijtë e saj, dhe u përkulën. Pastaj u afruan Jozefi dhe Rakela, dhe u përkulën edhe ata.
8 Esau tha: "Çfarë ke ndërmend të bësh me tërë atë grup që takova?". Jakobi u përgjigj: "Éshtë për të gjetur hir në sytë e zotërisë tim".
9 Atëherë Esau tha: "Kam mjaft për vete, o vëllai im; mbaj për vete atë që është jotja".
10 Por Jakobi tha: "Jo, të lutem; në qoftë se kam gjetur hir në sytë e tu, prano dhuratën time nga dora ime, sepse kur pashë fytyrën tënde, për mua ishte njëlloj sikur të shikoja fytyrën e Perëndisë, dhe ti më ke pritur mirë.
11 Pranoje, pra, dhuratën që të është sjellë, sepse Perëndia është treguar shumë i mirë me mua dhe unë kam gjithçka". Dhe nguli këmbë aq shumë, sa që Esau pranoi.
12 Pastaj Esau tha: "Le të nisemi, të fillojmë të ecim dhe unë do të shkoj para teje".
13 Por Jakobi u përgjigj: "Zotëria im e di që fëmijët janë në moshë të vogël dhe që kam me vete dele dhe lopë qumështore; po t’i mbajmë keq qoftë edhe një ditë të vetme, tërë kafshët kanë për të vdekur.
14 Le të kalojë zotëria im para shërbëtorit të tij, dhe unë do ta ndjek ngadalë me hapin e kafshëve që më paraprijnë dhe me hapin e fëmijëve, deri sa të arrijë te zotëria im në Seir".
15 Atëherë Esau tha: "Më lejo të paktën të lë me ty disa nga njerëzit që janë me mua". Por Jakobi u përgjigj: "Pse ta bëjmë këtë? Mjafton që unë të gjej hir në sytë e zotërisë tim".
16 Kështu po atë ditë Esau u rikthye në rrugën e tij drejt Seirit.
17 Jakobi u nis në drejtim të Sukothit, ndërtoi atje një shtëpi për vete dhe kasolle për bagëtinë; prandaj ai vend u quajt Sukoth.
21 Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?
22 Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira.
23 Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit.
24 Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari.
25 Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj.
26 Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.
27 Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin.”
28 Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.
29 Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.
30 Po çfarë thotë shkrimi? “Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës.”
31 Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.
5 Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.