Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 142

142 Unë i këlthas me zërin tim Zotit; me zërin tim i lutem Zotit.

Para tij paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time.

Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time. Ata kanë përgatitur një lak për mua te shtegu që po kaloja.

Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time.

Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.

Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë.

Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira".

Jeremia 49:7-11

Kundër Edomit. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Nuk ka më dituri në Teman? Vallë u ka munguar gjykimi të zgjuarve? Éshtë tretur dituria e tyre?

Ikni me vrap, kthehuni prapa, shkoni të banoni në thellësitë e tokës, o banorë të Dedanit, sepse unë do të sjell fatkeqësinë e Ezaut mbi të në kohën e ndëshkimit të tij.

Po të vinin disa vjelës rrushi te ti nuk do të linin ndonjë vilëz për të mbledhur? Po të vinin disa vjedhës te ti natën do të shkatërronin vetëm sa u mjafton.

10 Por unë do ta zbuloj Ezaun dhe do të gjej vendet e fshehta të tij, dhe ai nuk do të mund të fshihet më. Pasardhësit të tij, vëllezërit e tij dhe fqinjët e tij do të shkatërrohen, dhe ai nuk do të jetë më.

11 Lëri jetimët e tu, unë do t’i ruaj të gjallë në jetë dhe gratë e tua të veja le të kenë besim tek unë".

Efesianëve 4:17-5:2

17 Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre,

18 të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre.

19 Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur.

20 Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin,

21 në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qënë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin,

22 që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës,

23 dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj

24 dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës.

25 Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njeri me tjetrin.

26 Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj;

27 dhe mos i jepni vend djallit.

28 Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë.

29 Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.

30 Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.

31 Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi.

32 Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.

Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,

edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.