Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
142 Unë i këlthas me zërin tim Zotit; me zërin tim i lutem Zotit.
2 Para tij paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time.
3 Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time. Ata kanë përgatitur një lak për mua te shtegu që po kaloja.
4 Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time.
5 Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.
6 Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë.
7 Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira".
1 Fjala e Zotit që iu drejtua Mikeas, Morashtitit, në ditët e Jothamit, të Açazit dhe të Ezekias, mbretër të Judës, dhe i cili pati vegim rreth Samarias dhe Jeruzalemit.
2 Dëgjoni, o mbarë popuj! Kushtoji kujdes, o tokë, me tërë atë që ti përmban! Zoti, Zoti, qoftë dëshmitar kundër jush, Zoti, nga tempulli i tij i shenjtë.
3 Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij, zbret dhe ecën mbi lartësitë e tokës;
4 malet shkrihen poshtë tij, dhe luginat treten si dylli para zjarrit, si ujërat që rrjedhin në një brinjë.
5 E tërë kjo për shkak të shkeljes së Jakobit dhe për mëkatet e shtëpisë së Izraelit. Cila është shkelja e Jakobit? Mos vallë Samaria? Cilat janë vendet e larta të Judës? A mos vallë Jeruzalemi?
4 Sa për të tjerat, pra, vëllezër, ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t’i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë.
2 Sepse ju e dini se ç’urdhërime ju lamë nga ana e Zotit Jezus.
3 Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria;
4 që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder,
5 jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë,
6 dhe që askush të mos mashtrojë ose t’ia hedhë në punë vëllait të vet, sepse Perëndia është hakmarrësi për të gjitha këto gjëra, sikurse edhe ju thamë më parë dhe e dëshmuam.
7 Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim.
8 Prandaj ai që i përbuz këto gjëra, nuk përbuz një njeri, por Perëndinë që ju dha edhe Frymën e tij të Shenjtë.