Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:105-112

105 Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.

106 Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta.

107 Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.

108 O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua.

109 Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd.

110 Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua.

111 Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.

112 Jam zotuar me gjithë zemër për t’i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.

Eksodi 3:1-6

Ndërkaq Moisiu po kulloste kopenë e Jethros, vjehrrit të tij dhe prift i Madianit; ai e çoi kopenë matanë shkretëtirës dhe arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.

Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishtjeje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej.

Atëherë Moisiu tha: "Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po konsumohet!".

Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: "Moisi, Moisi!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam".

Perëndia tha: "Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë".

Pastaj tha dhe këto fjalë: "Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit". Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë.

Romakëve 2:12-16

12 Në fakt të gjithë ata që kanë mëkatuar pa ligjin, do të humbasin gjithashtu pa ligj; dhe të gjithë ata që kanë mëkatuar nën ligjin do të gjykohen sipas ligjit,

13 sepse jo ata që dëgjojnë ligjin janë të drejtë para Perëndisë, por ata që e zbatojnë ligjin do të shfajësohen.

14 Në fakt kur johebrenjtë, që s’kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s’kanë ligjin, janë ligj për vetveten;

15 këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin,

16 ditën në të cilën Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit, sipas ungjillit tim.