Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
8 Ja zëri i të dashurit tim! Ja, ai vjen duke kërcyer mbi malet, duke u hedhur mbi kodrat.
9 I dashuri im i përngjan një gazele apo një dreri të ri. Ja ku është prapa murit tonë, shikon nga dritaret, hedh vështrime nëpërmjet hekurave të tyre.
10 I dashuri im më ka folur dhe më ka thënë: "Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja!
11 Sepse, ja, dimri ka kaluar, shiu pushoi, iku.
12 Lulet duken mbi tokë, koha e të kënduarit erdhi, dhe në vendin tonë dëgjohet zëri i turtulleshës.
13 Fiku nxjerr fiqtë e tij të papjekur, vreshtat në lulëzim përhapin një aromë të këndshme. Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja.
30 Dhe ndodhi që, pikërisht kur Isaku kishte mbaruar së bekuari Jakobin dhe ky sapo ishte larguar nga prania e të atit Isak, vëllai i tij Esau u kthye nga gjahu.
31 Edhe ai përgatiti një gjellë të shijshme dhe ia shpuri babait të tij dhe i tha: "Çohu ati im dhe ha nga gjahu i birit tënd, me qëllim që shpirti yt të më bekojë".
32 Isaku, babai i tij, i tha: "Kush je ti?". Ai u përgjegj: "Jam Esau, biri yt i parëlindur".
33 Atëherë Isakun e zunë ca të dridhura shumë të forta dhe i tha: "Kush është ai, pra, që gjuajti gjahun dhe ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti dhe e bekova; dhe i bekuar ka për të mbetur ai".
34 Me të dëgjuar fjalët e të atit, Esau dha një ulurimë të fortë dhe shumë të hidhur. Pastaj i tha të atit: "Bekomë edhe mua, ati im!".
35 Por Isaku iu përgjigj: "Yt vëlla erdhi me mashtrim dhe mori bekimin tënd".
36 Esau i tha: "Jo më kot është quajtur Jakob? Ai ma zuri vendin deri tani dy herë: më hoqi parëbirninë dhe ja tani po merr bekimin tim". Pastaj shtoi: A nuk ke ruajtur një bekim për mua??".
37 Atëherë Isaku u përgjegj dhe i tha Esaut: "Ja, unë e bëra zotrinë tënd dhe i dhashë tërë vëllezërit e tij si shërbëtorë, dhe e pajisa me grurë dhe me verë; ç’mund të bëj për ty, biri im?".
38 Esau i tha babait të tij: "A ke vetëm këtë bekim, ati im? Bekomë edhe mua, o ati im!". Dhe Esau ngriti zërin dhe qau.
39 Isaku, babai i tij, u përgjigj duke i thënë: "Ja, banesa jote do të privohet nga pjelloria e tokës dhe nga vesa që zbret nga lartësia e qiellit.
40 Ti do të jetosh me shpatën tënde dhe do të jesh shërbëtori i vëllait tënd; por do të ndodhë që, kur do të luftosh, do ta thyesh zgjedhën e tij nga qafa jote".
41 Kështu Esau filloi ta urrejë Jakobin për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati, dhe tha në zemër të vet: "Ditët e zisë për babanë po afrohen; atëherë do të vras vëllanë tim Jakobin".
42 Kur i treguan Rebekës fjalët e Esaut, birit të saj më të madh, ajo dërgoi ta thërrasin birin e saj më të vogël, Jakobin, dhe i tha: "Ja, Esau, yt vëlla, ngushëllohet ndaj teje, duke menduar të të vrasë.
43 Prandaj, biri im, bindju fjalëve që të them: Çohu dhe ik shpejt në Haran te Labano, vëllai im;
44 dhe qëndro ca kohë me të, deri sa t’i kalojë zemërimi vëllait tënd,
45 deri sa mëria e vëllait tënd të largohet prej teje dhe ai të harrojë atë që i ke bërë; atëherë do të dërgojë njerëz që të të marrin prej andej. Pse duhet t’ju humbas që të dyve brënda një dite të vetme?".
46 Pastaj Rebeka i tha Isakut: "Jam neveritur nga jeta për shkak të bijave të Hethit. Në rast se Jakobi merr për grua një nga bijat e Hethit, një grua si ato të vendit, ç’më duhet jeta?".
18 Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi,
19 meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre.
20 Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm.
21 Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua.
22 Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë,
23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.
24 Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtsë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre,
25 që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen.