Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 116:1-2

116 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.

Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.

Psalmet 116:12-19

12 Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.

15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.

18 Do t’i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,

19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.

Zanafilla 24:10-52

10 Pastaj shërbyesi mori dhjetë deve nga devetë e zotit të tij dhe u nis, duke pasur me vete çdo lloj të mirash të zotërisë së tij. Ai e nisi rrugën dhe shkoi në Mesopotami, në qytetin e Nahorit.

11 Dhe i gjunjëzoi devetë jashtë qytetit pranë një pusi uji, aty nga mbrëmja, në kohën kur gratë dalin për të marrë ujë, dhe tha:

12 "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, të lutem bëj që sot të kem mundësinë të kem një takim të lumtur, trego dashamirësi ndaj Abrahamit, zotit tim!

13 Ja, unë po rri pranë këtij burimi ujërash, ndërsa bijat e banorëve të qytetit dalin për të mbushur ujë.

14 Bëj që vajza së cilës do t’i them: "Ah, ule shtambën tënde që unë të pi" dhe që do të më përgjigjet: "Pi, dhe kam për t’u dhënë për të pirë edhe deveve të tu," të jetë ajo që ti ja ke caktuar shërbyesit tënd Isak. Nga kjo unë do të kuptoj që ti ke treguar dashamirësi ndaj zotërisë tim".

15 Ai s’kishte mbaruar së foluri, kur, ja, doli Rebeka me shtambën në shpatullën e saj; ajo ishte e bija e Bethuelit, biri i Mikailit, gruaja e Nahorit dhe vëllai i Abrahamit.

16 Vajza ishte shumë e bukur, e virgjër dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur kurrë. Ajo zbriti në burim, mbushi shtambën e saj dhe u ngjit përsëri lart.

17 Atëherë shërbyesi vrapoi në drejtim të saj dhe i tha: "Lermë të pi pak ujë nga shtamba jote".

18 Ajo u përgjegj: "Pi, zotëria im"; pastaj shpejtoi ta ulë shtambën mbi dorë dhe i dha të pijë.

19 Sapo mbaroi së dhëni ujë për të pirë, tha: "Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, deri sa të ngopen me ujë".

20 Me nxitim e zbrazi shtambën e saj në koritë, vrapoi përsëri te burimi për të mbushur ujë për të gjithë devetë e tij.

21 Ndërkaq ai njeri e sodiste në heshtje, për të mësuar në qoftë se Zoti e kishte bërë të mbarë apo jo udhëtimin e tij.

22 Kur devetë mbaruan së piri, njeriu mori një unazë floriri për hundën që peshonte gjysmë sikli dhe dy byzylykë me një peshë prej dhjetë siklesh ari për kyçin e dorës së saj, dhe tha:

23 "Bijë e kujt je? Ma thuaj, të lutem. A ka vend në shtëpinë e babait tënd për ne, që ta kalojmë natën?".

24 Ajo u përgjegj: "Unë jam bijë e Bethuelit, i biri i Milkahut, që ajo i lindi në Nahor".

25 Dhe shtoi: "Tek ne ka shumë kashtë dhe forazh si dhe vend për të kaluar natën".

26 Atëherë njeriu u përkul, adhuroi Zotin dhe tha:

27 "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Abrahamit, zotërisë tim, që nuk ka pushuar të jetë dashamirës dhe besnik ndaj zotërisë tim! Sa për mua, gjatë udhëtimit, Zoti më çoi në shtëpinë e vëllezërve të zotërisë tim".

28 Dhe vajza vrapoi për t’i treguar këto gjëra në shtëpinë e nënës së saj.

29 Por Rebeka kishte një vëlla të quajtur Labano. Dhe Labano doli me vrap jashtë drejt burimit te ai njeri.

30 Sa pa unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës të së motrës dhe dëgjoi fjalët që Rebeka, motra e tij, thoshte: "Kështu më foli ai njeri," iu afrua këtij njeriu, dhe ja që u gjet pranë deveve, afër burimit.

31 Dhe tha: "Hyrë, i bekuar nga Zoti! Pse rri jashtë? Unë kam përgatitur shtëpinë dhe një vend për devetë".

32 Njeriu hyri në shtëpi, dhe Labano shkarkoi devetë, u dha kashtë dhe forazh deveve dhe solli ujë që të lante këmbët ai dhe njerëzit që ishin bashkë me të.

33 Pastaj i vunë përpara për të ngrënë, por ai tha: "Nuk do të ha deri sa të plotësoj porosinë që më kanë dhënë". Tjetri tha: "Fol".

34 Atëherë ai tha: "Unë jam një shërbëtor i Abrahamit.

35 Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim, që është bërë i madh; i ka dhënë dele dhe qe, argjend dhe flori, shërbyes dhe shërbyese, deve dhe gomarë.

36 Por Sara, gruaja e zotërisë tim, i ka lindur në pleqërinë e saj një djalë zotërisë tim, i cili i ka dhënë atij gjithçka zotëron.

37 Dhe zotëria im më vuri të betohem duke thënë: "Nuk do të marrësh grua për djalin tim nga bijtë e Kanaanejve, në vendin ku banoj;

38 por do të shkosh në shtëpinë e babait tim dhe tek afëria ime dhe aty do të marrësh një grua për birin tim".

39 Atëherë unë i thashë zotërisë tim: "Ndofta gruaja nuk do të dojë të më ndjekë".

40 Por ai u përgjegj: "Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëj të mbarë udhëtimin tënd, dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga farefisi im dhe nga shtëpia e babait tim.

41 Do të lirohesh nga betimi që më ke bërë kur të shkosh tek afëria ime; dhe po të jetë se nuk duan të ta japin, do të lirohesh nga betimi që më ke bërë".

42 Sot kam arritur te burimi dhe thashë: "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, në rast se të pëlqen kështu, të lutem bëje të mbarë udhëtimin që kam filluar;

43 Ja, unë po ndalem pranë burimit të ujit; bëj që vajza që ka për të dalë për të marrë ujë dhe së cilës do t’i them: "Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote,"

44 dhe që do të më thotë: "Pi sa ke nevojë dhe do të marr ujë edhe për devetë e tua," le të jetë gruaja që Zoti i ka caktuar djalit të zotërisë tim.

45 Para se unë të kisha mbaruar së foluri në zemrën time, doli jashtë Rebeka me shtambën e saj mbi shpatull; ajo zbriti te burimi dhe mbushi ujë. Atëherë unë i thashë:

46 "Oh, lermë të pi!". Dhe ajo shpejtoi ta ulte shtambën nga shpatulla e saj dhe u përgjegj: "Pi dhe do t’u jap të pinë edhe deveve të tua". Kështu unë piva dhe ajo u dha të pinë edhe deveve.

47 Atëherë e pyeta dhe i thashë: "Bijë e kujt je?". Ajo m’u përgjegj: "Jam bijë e Bethuelit, biri i Nahorit, që Milkah lindi". Kështu unë i vura unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës.

48 Pastaj u përkula, adhurova Zotin dhe e bekova Zotin, Perëndinë e Abrahamit, zotërisë tim, që më ka çuar në rrugën e drejtë për të marrë për birin e tij bijën e vëllait të zotërisë tim.

49 Dhe tani në rast se doni të silleni me dashamirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, duhet të ma thoni; në rast se jo, ma thoni njëlloj dhe unë do të kthehem djathtas ose majtas".

50 Atëherë Labano dhe Bethueli u përgjigjën dhe thanë: "Kjo varet nga Zoti; ne nuk mund të flasim as për mirë as për keq.

51 Ja, Rebeka është këtu para teje, merre me vete, shko dhe ajo të bëhet gruaja e birit të zotërisë tënd, ashtu siç ka thënë Zoti".

52 Kur shërbëtori i Abrahamit dëgjoi fjalët e tyre u përul për tokë përpara Zotit.

Marku 7:1-13

Atëherë rreth tij u mblodhën farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jeruzalemi.

Ata vunë re se disa nga dishepujt e tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, dhe i paditën.

Në fakt farisenjtë dhe të gjithë Judenjtë nuk hanë pa i larë më parë me shumë kujdes duart, duke iu përmbajtur traditës së pleqve;

dhe, kur kthehen nga tregu, nuk hanë pa u pastruar më parë. Ka shumë gjëra të tjera që ata duhet të respektojnë për shkak të traditës: larjen e kupave, të brokave, të enëve prej bakri dhe të shtretërve.

Pastaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: “Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së pleqve, por hanë bukë pa i larë duart?.”

Por ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë, siç është shkruar: "Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje.

Por kot më bëjnë një kult, duke mësuar doktrina, të cilat janë porosi nga njerëzit".

Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve: larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme.”

U tha atyre akoma: “Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj.

10 E në fakt Moisiu tha: "Ndero atin tënd dhe nënën tënde," dhe: "Ai që mallkon atin ose nënën, të dënohet me vdekje".

11 Por ju thoni: "Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë,"

12 nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet,

13 duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme.”