Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.
2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.
3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.
4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.
5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;
6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.
7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.
8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".
10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.
11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.
39 A mund ta gjuash ti gjahun për luaneshën apo të ngopësh të vegjlit e uritur të luanit,
40 kur struken në strofkat e tyre apo rrinë në pritë në strukën e tyre?
41 Kush i siguron korbit ushqimin e tij, kur zogjtë e tij i thërrasin Perëndisë dhe enden pa ushqim?
39 A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave?
2 A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin?
3 Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre.
4 Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre.
5 Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër,
6 të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë?
7 Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie.
8 Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër.
9 Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd?
10 A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje?
11 A do t’i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t’ia lësh atij punën tënde?
12 A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë?
12 Edhe për sa u përket dhuntive frymërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur.
2 Ju e dini se, kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë, nën shtytje të çastit.
3 Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: “Mallkuar qoftë Jezusi!”; edhe asnjë nuk mund të thotë: “Jezusi është Zot,” veç se në Frymën e Shenjtë.