Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
8 Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!
2 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.
3 Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,
4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?
5 Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!
7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,
8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.
9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!
22 Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit
23 që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?
24 Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë?
25 Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve,
26 që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri,
27 për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari?
28 Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës?
29 Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit?
30 Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin.
31 A mund t’i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit?
32 A i bën ti të duken yllësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj?
33 A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë?
34 A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm?
35 Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam?".
36 Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës?
37 Kush numëron retë me anë të diturisë, dhe kush derdh shakujt e qiellit
38 kur pluhuri shkrihet në një masë dhe plisat bashkohen midis tyre?
15 “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.
16 Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,
17 Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.