Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.
13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.
14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.
15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.
16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.
17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.
18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie.
20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.
21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.
20 Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë:
2 "Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.
3 Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.
4 Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë.
5 Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijve të tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,
6 dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.
7 Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.
8 Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar.
9 Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde;
10 por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua;
11 sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë.
12 Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.
13 Nuk do të vrasësh.
14 Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.
15 Nuk do të vjedhësh.
16 Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.
17 Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd".
18 Tani tërë populli dëgjonte bubullimat, tingullin e borisë dhe shihte shkreptimat dhe malin që nxirrte tym. Para kësaj pamjeje, populli dridhej dhe qëndronte larg.
19 Prandaj ata i thanë Moisiut: "Fol ti me ne dhe ne do të të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia që të mos vdesim".
20 Moisiu i tha popullit: "Mos u trembni, sepse Perëndia erdhi që t’ju provojë, dhe me qëllim që frika e tij të jetë gjithmonë para jush, dhe kështu të mos mëkatoni".
21 Populli, pra, qëndronte larg, por Moisiu iu afrua errësirës së dendur ku ndodhej Perëndia.
5 Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij.
2 Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë:
3 “Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
4 Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
5 Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.
6 Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.
7 Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.
8 Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.
9 Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.
10 Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
11 Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.
12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.”