Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.
2 Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.
3 Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.
4 Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.
5 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.
6 Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.
7 Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.
8 Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.
9 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.
54 Kur Salomoni mbaroi së drejtuari Zotit tërë këtë lutje dhe kërkesë, ai u ngrit para altarit të Zotit ku ishte gjunjëzuar me duart e shtrira në drejtim të qiellit.
55 Pastaj u ngrit dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit me zë të lartë, duke thënë:
56 "I bekuar qoftë Zoti, që i dha paqe popullit të Izraelit, sipas gjithë atyre premtimeve që kishte bërë; as edhe një fjalë e vetme nuk mbeti pa u zbatuar nga të gjitha premtimet e bëra prej tij me anë të shërbëtorit të tij Moisi.
57 Zoti, Perëndia ynë, qoftë me ne ashtu siç ka qenë me etërit tanë; mos na lëntë dhe mos na braktistë,
58 por t’i kthejë zemrat tona nga ai, me qëllim që ne të ecim në të gjitha rrugët e tij dhe t’u bindeni urdhërimet e tij, statutet e tij dhe dekretet e tij që u ka parashtruar etërve tanë.
59 Këto fjalë, që i kam drejtuar si lutje Zotit, mbetshin pranë Zotit, Perëndisë tonë, ditë e natë, me qëllim që Ai të përkrahë çështjen e shërbëtorit të tij dhe çështjen e popullit të tij, sipas nevojës së përditshme,
60 me qëllim që tërë popujt e dheut të pranojnë që Zoti është Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër veç tij.
61 Le të jetë, pra, zemra juaj e dhënë plotësisht Zotit, Perëndisë tonë, për të ndjekur statutet e tij dhe për të respektuar urdhërimet e tij, si po bëni sot!".
62 Pastaj mbreti dhe tërë Izraeli bashkë me të ofruan flijime përpara Zotit.
63 Salomoni flijoi si flijim falënderimi, që ai i ofroi Zotit, njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë bijtë e Izraelit ia kushtuan shtëpinë e Zotit.
64 Po atë ditë mbreti shenjtëroi pjesën qendrore të oborrit, që ndodhet përpara shtëpisë të Zotit; në fakt atje ai ofroi olokauste, blatimet ushqimore dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit, sepse altari prej bronzi, që ndodhet përpara Zotit, ishte tepër i vogël për të nxënë olokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit.
65 Në atë kohë Salomoni kremtoi një festë përpara Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë Izraeli qe bashkë me të. Me të u bashkua një kuvend i madh njerëzish, të ardhur nga rrethet e Hamathit deri në përruan e Egjiptit, për shtatë ditë dhe për shtatë ditë të tjera, gjithsej për katërmbëdhjetë ditë.
31 Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë.
32 Dhe ai dëshmon çfarë ka parë dhe dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij.
33 Ai që e pranoi dëshminë e tij e vulosi se Perëndia është i vërtetë.
34 Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën e tij me masë.
35 Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë.
36 Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.”