Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 93

93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.

Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.

Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;

por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.

Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.

Ligji i Përtërirë 5:22-33

22 Këto fjalë tha Zoti përpara tërë asamblesë tuaj, nga mesi i zjarrit, të resë dhe të errësirës së dendur, me zë të fortë; dhe nuk shtoi tjetër. I shkroi mbi dy pllaka prej guri dhe mi dha mua.

23 Kur ju dëgjuat zërin në mes të errësirës, ndërsa mali ishte tërë flakë, ju m’u afruat, gjithë prijësit e fiseve dhe pleqtë tuaj,

24 dhe thatë: "Ja, Zoti, Perëndia ynë, na tregoi lavdinë dhe madhërinë e tij, dhe ne dëgjuam zërin e tij nga mesi i zjarrit; sot kemi parë që Perëndia mund të flasë me njeriun dhe ky të mbetet i gjallë.

25 Po pse duhet të vdesim? Ky zjarr i madh në të vërtetë do të na gllabërojë; në rast se vazhdojmë të dëgjojmë akoma zërin e Zotit, të Perëndisë tonë, ne kemi për të vdekur.

26 Sepse, midis gjithë njerëzve, kush është ai që, si ne, ka dëgjuar zërin e Perëndisë të gjallë të flasë në mes të zjarrit dhe ka mbetur i gjallë?

27 Afrohu ti dhe dëgjo të gjitha ato që Zoti, Perëndia ynë, do të të thotë, dhe ne do ta dëgjojmë dhe do të bëjmë ato që kërkon ai".

28 Zoti dëgjoi tingullin e fjalëve tuaja ndërsa më flisnit; kështu Zoti më tha: "Unë dëgjova tingullin e fjalëve që ky popull të drejtoi; çdo gjë që ata thanë është mirë.

29 Ah, sikur të kishin gjithnjë një zemër të tillë, të më kishin frikë dhe të respektonin tërë urdhërimet e mia, që të rronin gjithnjë në begati ata dhe bijtë e tyre!

30 Shko dhe u thuaj: Kthehuni në çadrat tuaja.

31 Por ti qëndro këtu me mua dhe unë do të të tregoj tërë urdhërimet, tërë statutet dhe dekretet që do t’u mësosh atyre, me qëllim që t’i zbatojnë në vendin që unë po u jap si trashëgimi".

32 Kini pra kujdes të bëni atë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; mos u shmangni as djathtas, as majtas;

33 ecni të tërë në rrugën që Zoti, Perëndia juaj, ju ka caktuar, që të jetoni, të keni mbarësi dhe të zgjatni ditët tuaja në vendin që do të pushtoni".

1 Pjetrit 3:8-12

Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës,

pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin.

10 Sepse “kush don ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gojën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me mashtrim;

11 të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe të ndjekë atë,

12 sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të keqen.”