Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 134

134 Ja, bekoni Zotin, ju, të gjithë shërbëtorët e Zotit, që e kaloni natën në shtëpinë e Zotit.

Ngrini duart në drejtim të shenjtores dhe bekoni Zotin.

Të bekoftë Zoti nga Sioni, ai që ka krijuar qiejtë dhe tokën.

Eksodi 24:1-11

24 Pastaj Perëndia i tha Moisiut: "Ngjitu te Zoti, ti dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu si dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit, dhe adhuroni nga larg;

pastaj Moisiu do t’i afrohet Zotit; por të tjerët nuk do t’i afrohen, as populli nuk ka për t’u ngjitur bashkë me atë".

Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: "Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë".

Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit; pastaj u ngrit herët në mëngjes dhe ngriti në këmbët e malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla për të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

Pastaj dërgoi bij të rinj të Izraelit për të ofruar olokauste dhe për të flijuar dema të rinj si theror falënderimi ndaj Zotit.

Dhe Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar.

Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: "Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi".

Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: "Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve".

Pastaj Moisiu dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit u ngjitën,

10 dhe panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte si një dysheme e punuar me safir, e qartë si qielli vetë.

11 Por ai nuk e shtriu dorën kundër krerëve të bijve të Izraelit; dhe ata e panë Perëndinë, dhe hëngrën dhe pinë.

Gjoni 21:1-14

21 Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë:

Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.

Simon Pjetri u tha atyre: “Po shkoj të peshkoj.” Ata i thanë: “Po vijmë edhe ne me ty.” Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.

Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.

Dhe Jezusi u tha atyre: “O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?.” Ata iu përgjigjën: “Jo!.”

Dhe ai u tha atyre: “Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni.” E hodhën, pra, dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.

Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Éshtë Zoti.” Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.

Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.

Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.

10 Jezusi u tha atyre: “Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!.”

11 Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.

12 Jezusi u tha atyre: “Ejani të hani mëngjes.” Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: “Kush je?,” duke ditur se ishte Zoti.

13 Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.

14 Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.