Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
23 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
2 Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.
3 Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.
4 Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.
5 Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.
6 Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.
22 Samueli i tha: "Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.
23 Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret".
24 Atëherë Sauli i tha Samuelit: "Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij.
25 Por tani, të lutem, falma mëkatin tim dhe kthehu me mua, që unë të mund të bie përmbys para Zotit".
26 Por Samueli iu përgjegj Saulit: "Unë nuk do të kthehem me ty, sepse ke hedhur poshtë fjalën e Zotit dhe Zoti të ka hedhur poshtë ty, që ti të mos jesh më mbret mbi Izraelin".
27 Ndërsa Samueli po kthehej për të ikur, Sauli i kapi skajin e mantelit të tij që u gris.
28 Atëherë Samueli i tha: "Zoti hoqi sot nga duart e tua mbretërinë e Izraelit dhe ia dha një tjetri, që është më i mirë se ti.
29 Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet".
30 Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar, por tani më ndero, të lutem, para pleqve të popullit tim dhe përpara Izraelit; kthehu me mua, që të bie përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd".
31 Kështu Samueli u kthye me Saulin, dhe Sauli ra përmbys përpara Zotit.
5 Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,
2 edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.
3 Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush;
4 as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime.
5 Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.
6 Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes.
7 Mos jini, pra, shokë me ta.
8 Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës,
9 sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë,