Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
81 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.
2 Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.
3 I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.
4 Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.
5 Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;
6 "O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.
7 Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t’u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)
8 Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!
9 Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.
10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.
11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.
12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.
13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!
14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.
15 Ata që urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.
16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi".
4 Dëgjoni fjalën e Zotit, o shtëpi e Jakobit, dhe ju të gjitha familjet e shtëpisë së Izraelit.
5 Kështu thotë Zoti: "Çfarë kanë gjetur të padrejtë tek unë etërit tuaj për t’u larguar nga unë, për të shkuar pas kotësisë dhe për t’u bërë ata vetë kotësi?
6 As nuk kanë thënë: "Ku është Zoti që na nxori nga vendi i Egjiptit, që na udhëhoqi nëpër shkretëtirë, nëpër një vend të thatë dhe me gremina, në një vend të zhuritur dhe me hije të vdekjes, nëpër një vend ku asnjeri nuk kishte kaluar dhe ku asnjeri nuk kishte banuar?".
7 Unë ju kam çuar në një vend pjellor që të hanit frytet e tij dhe të mirat e tij; por kur keni hyrë keni ndotur vendin tim dhe e keni bërë trashëgiminë time një gjë të neveritshme.
8 Priftërinjtë nuk kanë thënë: "Ku është Zoti?," ata që meren me ligjin nuk më njohën, barinjtë ngritën krye kundër meje, profetët profetizuan për Baalin dhe shkuan pas gjërave që nuk vlejnë asgjë.
9 Prandaj do t’ju padis akoma në gjyq," thotë Zoti, "dhe do t’u bëj gjyq bijve të bijve tuaj.
10 Shkoni në ishujt e Kitimit dhe shikoni, dërgoni njerëz në Kedar dhe kqyrni mirë nëse ka ndodhur një gjë e tillë.
11 A ka ndryshuar ndonjë komb perënditë e tij, edhe pse ato nuk janë perëndi? Por populli im e ka ndërruar lavdinë e tij për diçka që nuk vlen asgjë.
12 Habituni, o qiej, me këtë; lebetituni dhe dëshpërohuni shumë," thotë Zoti.
13 "Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.
14 Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.
15 Dhe Judenjtë mrrekulloheshin duke thënë: “Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?.”
16 Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: “Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.
17 Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.
18 Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.
19 A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?.”
20 Turma u përgjigj dhe tha: “Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?.”
21 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “Unë bëra një vepër dhe ju të gjithë jeni të mreku-lluar.
22 Prandaj Moisiu iu dha rrethprerjen (ajo nuk është prej Moisiut, por prej etërve); dhe ju e rrethpritni një njeri të shtunën.
23 Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësishtë një njeri të shtunën?
24 Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!”
25 Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: “A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?
26 E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?
27 Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është.”
28 Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: “Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s’kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.
29 Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi.”
30 Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s’kishte ardhur akoma.
31 Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshnin: “Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?.”
37 Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.
38 Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë.”
39 Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.