Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 95

95 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.

Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.

Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.

Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.

I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.

Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.

Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,

"mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,

ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.

10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.

11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".

Eksodi 16:27-35

27 Dhe ditën e shtatë ndodhi që disa njerëz nga populli dolën për ta mbledhur, por nuk e gjetën.

28 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të kundërshtoni të zbatoni urdhërimet e mia dhe ligjet e mia?

29 Mos harroni që Zoti ju ka dhënë të shtunën; për këtë arësye ditën e gjashtë ju jep bukë për dy ditë. Secili të qëndrojë në vendin e tij; asnjeri të mos dalë nga çadra e tij ditën e shtatë".

30 Kështu populli pushoi ditën e shtatë.

31 Dhe shtëpia e Izraelit e quajti Mana; ajo ishte e ngjashme me farën e koriandrit, e bardhë dhe me shijen e revanisë që bëhet me mjaltë.

32 Pastaj Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar: "Mbush me të një omer, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj, që ata të shohin bukën që ju bëra të hani në shkretëtirë, kur ju nxora nga vendi i Egjiptit"".

33 Moisiu i tha pastaj Aaronit: "Merr një enë, vër brenda saj një omer të plotë mane dhe vendose para Zotit, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj".

34 Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, Aaroni e vendosi para Dëshmisë, që të ruhej.

35 Dhe bijtë e Izraelit hëngrën manën dyzet vjet, deri sa arritën në një vend të banuar; hëngrën manën deri sa arritën në kufirin e vendit të Kanaanit.

Gjoni 4:1-6

Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni

(ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),

e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.

Por duhej të kalonte nëpër Samari.

Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.

Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.