Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
4 Por kjo nuk i pëlqeu aspak Jonas, i cili u zemërua.
2 Kështu ai iu lut Zotit, duke thënë: "Ah, o Zot, a nuk ishte vallë kjo që unë thoja kur isha akoma në vendin tim? Prandaj ika në fillim në Tarshish, sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe që pendohesh për të keqen e hakërruar.
3 Tani, pra, o Zot, të lutem, ma hiq jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se sa të rroj".
4 Por Zoti i tha: "A të duket e drejtë të zemërohesh kështu?".
5 Atëherë Jona doli nga qyteti dhe u ul në lindje të qytetit; atje bëri një kasolle dhe u ul nën të, në hije, që të mund të shikonte çfarë do t’i ndodhte qytetit.
6 Atëherë Zoti Perëndi përgatiti një bimë që u rrit përmbi Jonan, për t’i bërë hije kokës së tij dhe për ta çliruar nga e keqja e tij; dhe Jona ndjeu një gëzim të madh nga kjo bimë.
7 Të nesërmen në të gdhirë Perëndia dërgoi një krimb që i ra bimës, dhe kjo u tha.
8 Kur u ngrit dielli Perëndia solli një erë mbytëse nga lindja, dhe dielli i ra në kokë Jonas, që e ndjeu veten të ligështuar dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: "Për mua është më mirë të vdes se sa të rroj".
9 Perëndia i tha Jonas: "A të duket e drejtë të zemërohesh kështu për bimën?". Ai u përgjigj: "Po, është e drejtë për mua të zemërohem deri në vdekje".
10 Por Zoti tha: "Ty të erdhi keq për bimën për të cilën nuk je munduar dhe nuk e ke rritur, dhe që një natë u rrit dhe në një natë mbaroi.
11 Dhe mua nuk duhet të më vijë keq për Niniven, qytetin e madh, në të cilin ka njëqind e njëzetmijë veta që nuk dijnë të dallojnë të djathtën e tyre nga e majta e tyre, dhe një sasi të madhe kafshësh?".
8 Para së gjithash, falënderoj Perëndinë tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj është folur në gjithë botën.
9 Sepse Perëndia, të cilit unë i shërbej me frymën time nëpërmjet ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im që unë nuk pushoj kurrë t’ju kujtoj,
10 duke kërkuar vazhdimisht në lutjet e mia që të më lejohet më në fund nga vullneti i Perëndisë mundësia për të ardhur tek ju,
11 sepse unë dëshiroj fort t’ju shoh për t’ju komunikuar ndonjë dhunëti frymëror, që të fortësoheni.
12 Dhe kjo është që unë të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin.
13 Tani, vëllezër, unë nuk dua që të mos e dini se shumë herë kisha vendosur të vija tek ju që të mund të kem ndonjë fryt midis jush siç kam pasur midis johebrenjve të tjerë, por deri tash kam qenë i penguar.
14 Unë u jam borxhli Grekëve dhe barbarëve, të diturve dhe të paditurve.
15 Kështu, aq sa varet nga unë, jam gati t’ju predikoj ungjillin edhe juve që jeni në Romë.
16 Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun.
17 Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: “I drejti do të jetojë me anë të besimit.”