Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 2

Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?

Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,

duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".

Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.

Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,

dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.

Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.

Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.

Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".

10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.

11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.

12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.

1 i Mbretërve 21:20-29

20 Ashabi i tha Elias: "Më gjete pra, o armiku im?". Elia u përgjigj: "Po, të gjeta, sepse je shitur për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit.

21 Ja, unë do të sjell mbi ty fatkeqësinë, do t’i zhduk tërë pasardhësit e tu dhe do të shfaros nga shtëpia e Ashabit çdo mashkull, skllav apo i lirë në Izrael.

22 Do ta bëj shtëpinë tënde si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit, dhe si shtëpinë e Baashas, birit të Ahijahut, sepse ti ke nxitur zemërimin tim dhe e ke bërë Izraelin të mëkatojë.

23 Edhe për sa i përket Jezebelit, Zoti flet dhe thotë: "Qentë do ta hanë Jezebelin poshtë mureve të Jezreelit".

24 Ata të Ashabit që do të vdesin në qytet do t’i hanë qentë, ata që do të vdesin përkundrazi në ara do t’i hanë shpendët e qiellit".

25 Në të vërtetë nuk pati kurrë ndonjë njeri që u shit për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit si Ashabi, sepse ishte i shtyrë nga gruaja e tij Jezebeli.

26 Ai u suall në mënyrë të neveritshme duke u dhënë pas idhujve, ashtu si kishin bërë Amorejtë që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit.

27 Kur Ashabi dëgjoi këto fjalë, grisi rrobat e tij, e mbuloi trupin me një thes dhe agjeroi; binte në shtrat i mbështjellë me thesin dhe ecte si i përvuajtur.

28 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Elias, Tishbitit, duke i thënë:

29 "A e pe si u poshtërua Ashabi para meje? Duke qenë se u poshtërua para meje, unë nuk do ta godas me fatkeqësinë sa është i gjallë, por do të dërgoj fatkeqësinë mbi shtëpinë e tij gjatë jetës së birit të tij".

Marku 9:9-13

Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.

10 Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç’do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri.

11 Pastaj e pyetën duke thënë: “Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?.”

12 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet.

13 Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç’deshën, ashtu siç është shkruar për të.”