Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
19 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Foli tërë asamblesë së bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Jini të shenjtë, sepse unë Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë.
9 Kur do të korrni tokat tuaja, nuk do të korrësh deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mbledhësh kallinjtë që kanë mbetur pas korrjes sate;
10 dhe në vreshtin tënd nuk do të kthehesh prapë, as do të mbledhësh bistakët e mbetur nga vreshti yt; do t’i lësh për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
11 Nuk do të vidhni, nuk do të gënjeni dhe nuk do të mashtroni njëri-tjetrin.
12 Nuk do të bëni betim të rremë në emrin tim, nuk do të përdhosni emrin e Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti.
13 Nuk do të mundosh fqinjin tënd dhe as do ta vjedhësh; mëditjen e punëtorit mos e mbaj te ti deri në mëngjesin vijues.
14 Nuk do të mallkosh të shurdhërin dhe nuk do të vësh asnjë pengesë para të verbrit, por do të kesh frikë nga Perëndia yt. Unë jam Zoti.
15 Nuk do të bësh padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregohesh i anshëm me të varfërin as do të nderosh personat e fuqishëm; por do të gjykosh të afërmin tënd me drejtësi.
16 Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd, as do të mbash qëndrim kundër jetës të të afërmit tënd. Unë jam Zoti.
17 Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde; qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij.
18 Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti.
33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.
34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.
35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.
36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.
37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.
38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.
39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.
40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.
10 Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të,
11 sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti.
16 A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?
17 Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë.
18 Askush të mos mashtrojë vetveten; në qoftë se ndonjë nga ju mendon se është i urtë në këtë kohë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë.
19 Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë, sepse është shkruar: “Ai i zë të urtët në dinakërinë e tyre”;
20 dhe përsëri: “Zoti i njeh mendimet e të urtëve se janë të kota.”
21 Prandaj asnjë të mos mburret në njerëzit, sepse të gjitha gjërat janë tuajat;
22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, gjërat e tanishme dhe gjërat e ardhshme, të gjitha gjërat janë tuajat.
23 Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.
38 Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb".
39 Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën,
40 dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin.
41 Dhe në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të.
42 Jepi atij që të kërkon, dhe mos refuzo t’i japësh atij që të kërkon hua.
43 Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd".
44 Por unë po ju them: "Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin,
45 për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët.
46 Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
47 Dhe nëse përshendetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
48 Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej.”