Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:33-40

33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.

34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.

35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.

36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.

37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.

38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.

39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.

40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.

Levitiku 24:10-23

10 Ndërkaq biri i një gruaje izraelite dhe i një egjiptasi doli në mes të bijve të Izraelit; dhe ndërmjet djalit të gruas izraelite dhe një izraeliti plasi një grindje.

11 Biri i izraelites blasfemoi emrin e Zotit dhe e mallkoi atë; kështu e çuan te Moisiu. (Nëna e tij quhej Shelomith, ishte e bija e Dibrit, nga fisi i Danve).

12 E futën në burg, deri sa t’u tregohej vullneti i Zotit.

13 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

14 "Çoje atë blasfemues jashtë kampit; të gjithë ata që e kanë dëgjuar të vënë duart e tyre mbi kokën e tij dhe gjithë asambleja ta vrasë me gurë.

15 Pastaj folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: "Kushdo që mallkon Perëndinë e tij, do të mbajë fajin e mëkatit të tij.

16 Dhe kushdo që e shan emrin e Zotit do të dënohet me vdekje; tërë asambleja do ta vrasë me gurë. I huaj apo i lindur në vend, ai që blasfemon emrin e Zotit do të dënohet me vdekje.

17 Kush ia heq jetën një njeriu, do të vritet.

18 Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë: jetë për jetë.

19 Kur dikush i shkakton një dëmtim fqinjit të tij, ai do të pësojë po atë që i ka bërë tjetrit;

20 thyerje për thyerje, sy për sy, dhëmb për dhëmb; ai do të pësojë po atë gjymtim që u ka shkaktuar të tjerëve.

21 Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë; por ai që ia heq jetën një njeriu do të vritet.

22 Do të keni të njëjtin ligj për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj".

23 Pastaj Moisiu u foli bijve të Izraelit, të cilët e çuan jashtë kampit atë blasfemues dhe e vranë me gurë. Kështu bijtë e Izraelit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Mateu 7:1-12

“Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.

Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t’ju masin të tjerët.

Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?

Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: "Dale të të heq lëmishten nga syri," kur ke një tra në syrin tënd?

O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.

Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë.

Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet.

Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket.

A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë një gur?

10 Ose po t’i kërkojë një peshk, t’i japë një gjarpër?

11 Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.

12 Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.