Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
15 Shiko, unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen;
16 prandaj unë të urdhëroj ta duash Zotin, Perëndinë tënd, të ecësh në rrugët e tij, të respektosh urdhërimet, statutet dhe dekretet e tij, që ti të jetosh dhe të shumëzohesh; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në vendin që ti po shkon për ta pushtuar.
17 Por në qoftë se zemra jote shikon gjetiu dhe ti nuk bindesh dhe e lë veten të biesh përmbys para perëndive të tjera dhe t’u shërbesh atyre,
18 unë ju deklaroj sot që me siguri keni për t’u zhdukur, që nuk do t’i zgjatni ditët tuaja në vendin ku po gatiteni të hyni për ta pushtuar, duke kaluar Jordanin.
19 Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu,
20 dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t’i bindesh zërit të tij dhe të qendrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua, kështu që ti të mund të jetosh në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve të tu: Abrahamit, Isakut dhe Jakobit".
119 Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.
2 Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër
3 dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.
4 Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.
5 Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.
6 Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.
7 Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.
8 Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.
3 Dhe unë, o vëllezër, nuk munda t’ju flas si njerëz frymëror, por ju fola si njerëz të mishit, si foshnja në Krisht.
2 Ju dhashë qumësht për të pirë dhe nuk ju dhashë ushqim të fortë, sepse nuk ishit në gjendje ta asimilonit, madje edhe tani jo, sepse jeni akoma të mishit;
3 në fakt sepse midis jush ka smirë, grindje e përçarje a nuk jeni të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve?
4 Sepse, kur dikush thotë: “Unë jam i Palit,” dhe një tjetër: “Unë jam i Apolit,” a nuk jeni ju të mishit?
5 Kush është, pra, Pali dhe kush është Apoli, veçse shërbëtor me anë të të cilëve ju besuat, edhe ashtu si Zoti i dha gjithsecilit?
6 Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten.
7 Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit.
8 Por ai që mbjell dhe ai që ujit janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij.
9 Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.
21 Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: "Mos vrisni"; dhe: "Kushdo që vret do t’i nënshtrohet gjyqit";
22 por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t’i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka," do t’i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t’i thotë: "Budalla," do t’i nënshtrohet zjarrit të Gehenës.
23 Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje,
24 lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.
25 Bëj një marrëveshje miqësore me kundërshtarin tënd, sa je në një rrugë me të, që kundërshtari yt të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te rojtari dhe ti të futesh në burg.
26 Në të vërtetë të them se nuk do të da-lësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit.
27 Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën".
28 Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.
29 Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt;
30 dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt.
31 Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t’i japë letrën e ndarjes".
32 Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën.
33 Keni dëgjuar gjithashtu se të lashtëve u qe thënë: "Mos bëj betim të rremë; por plotëso premtimet për të cilat je betuar para Zotit".
34 Por unë po ju them: "Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë,
35 as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.
36 Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku;
37 Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu.