Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
112 Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.
2 Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.
3 Në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.
4 Drita lind në terr për ata që janë të drejtë, për njeriun e dhemshur, të mëshirshëm dhe të drejtë.
5 Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,
6 sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.
7 Ai nuk do t’u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.
8 Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.
9 Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.
10 I pabesi do ta shohë dhe do të zemërohet, do të kërcëllijë dhëmbët dhe do të konsumohet; dëshira e të pabesëve nuk do të realizohet kurrë.
29 Mjerë Arieli, Arieli, qytet ku fushoi Davidi! I shtoni vit vitit, festat le të plotësojnë ciklin e tyre.
2 Pastaj do ta hedh Arielin në ankth; do të ketë ankim dhe rënkime dhe për mua do të jetë si një Ariel.
3 Unë do të fushoj kundër teje rreth e qark, do të të rrethoj me një ledh dhe do të ngre bastione kundër teje.
4 Do të ulesh, do të flasësh nga toka dhe fjala jote do të dalë e mbytur nga pluhuri; zëri yt do të ngjitet nga toka si ai i një mediumi dhe fjala jote do të pëshpëritë nga pluhuri.
5 Turma e armiqve të tu do të jetë si pluhur i hollë dhe turma e të fuqishmëve si byk i shpërndarë; dhe kjo ka për të ndodhur papritmas, në një çast.
6 Ti do të vizitohesh nga Zoti i ushtrive me gjëmime, tërmete dhe zhurma të mëdha, me shakullima dhe flakë zjarri përvëlues.
7 Moria e të gjitha kombeve që luftojnë kundër Arielit, e të gjitha atyre që e luftojnë atë dhe fortesën e tij dhe e shtrëngojnë rreth e qark do të jetë si një ëndërr, si një vegim nate.
8 Ka për të ndodhur ashtu si kur një i uritur që ëndërron të hajë, por kur zgjohet e ka stomakun bosh, apo si kur një i etur ëndërron të pijë, por kur zgjohet është i lodhur dhe e ka grykën të tharë; kështu ka për të ndodhur me morinë e të gjitha kombeve që luftojnë kundër malit të Sionit.
9 Ndaluni dhe habituni. Braktisjuni qejfeve dhe pastaj shikoni rreth e rrotull të trembur. Këta janë të dehur, por jo nga vera; u merren këmbët, por jo për pasojë të pijeve dehëse.
10 Në fakt Zoti ka shpërndarë mbi ju një frymë topitjeje; ka mbyllur sytë tuaja, profetët, ka mbuluar me vel krerët tuaj, shikuesit.
11 Çdo vegim profetik është bërë për ju si fjalët e një libri të vulosur që i jepet dikujt që di të lexojë; duke i thënë: "Të lutem, lexoje, këtë!," por ai përgjigjet: "Nuk mundem, sepse është i vulosur!".
12 Ose si një libër që i jepet dikujt që nuk di të lexojë, duke i thënë: Të lutem, lexoje këtë!,," por ai përgjigjet: "Nuk di të lexoj".
13 Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë.
14 Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.
15 Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore.
16 Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija,
17 Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite.
18 Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.