Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,
2 sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.
3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.
7 Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.
8 Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.
9 Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.
10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.
11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.
12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.
13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.
14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.
15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.
16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.
17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.
3 Pastaj Naomi, e vjehrra, i tha: "Bija ime, a nuk do të kërkoj unë një vend paqeje për ty, që ti të jesh e lumtur?
2 Boazi, me shërbëtoret e të cilit ti ke qenë, a nuk është vallë fisi ynë? Ja, sonte ai duhet të shohë elbin në lëmë.
3 Prandaj lahu, lyeju me vaj, vish rrobat më të mira që ke dhe zbrit në lëmë; por bëj që ai të mos të njohë deri sa të ketë mbaruar së ngrëni e së piri.
4 Kur të shkojë të shtrihet, kqyr vendin ku shtrihet; pastaj shko aty, zbulo këmbët e tij dhe shtriu edhe ti. Dhe ai do të thotë atë që duhet të bësh".
5 Ruthi iu përgjegj: "Do të bëj të gjitha ato që më the".
6 Kështu zbriti në lëmë dhe bëri të gjitha ato që i kishte porositur e vjehrra.
7 Boazi hëngri e piu dhe me zemër të gëzuar shkoi të shtrihet pranë grumbullit të grurit. Atëherë ajo erdhi ngadalë, i zbuloi këmbët dhe u shtri.
8 Aty nga mesnata ai u zgjua përnjëherësh dhe u kthye; ja, një grua ishte shtrirë te këmbët e tij.
9 "Kush je ti?," i tha. Ajo u përgjigj: "Jam Ruthi, shërbëtorja jote; shtrije skajin e mantelit tënd mbi shërbëtoren tënd, sepse ti gëzon të drejtën e shpengimit".
10 Ai tha: "Qofsh e bekuar nga Zoti bija ime! Mirësia që tregove këtë herë të fundit ia kalon së parës, sepse nuk ke rendur pas të rinjve, të varfër a të pasur.
11 Prandaj tani mos ki frikë, bija ime; unë do të bëj për ty gjithçka që më kërkon, sepse të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë që ti je një grua e virtytshme.
12 Éshtë e vërtetë që unë gëzoj të drejtën e shpengimit; por është një që është fis më i afërt se unë.
13 Kaloje këtu natën; dhe nesër në mëngjes, në rast se ai do të kërkojë të drejtën e tij ndaj teje, mirë, pra le ta bëjë; por në rast se nuk e kërkon të drejtën e tij mbi ty, unë do të kërkoj që të vlejë e drejta ime dhe do të të shpengoj ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron! Rri shtrirë deri në mëngjes".
13 Kështu Boazi e mori Ruthin, që u bë bashkëshortja e tij. Ai hyri tek ajo dhe Zoti i dha mundësinë të lindë, dhe ajo lindi një djalë.
14 Atëherë gratë i thanë Naomit: "Bekuar qoftë Zoti, që sot nuk të la pa një shpëtimtar. Emri i tij u bëftë i famshëm në Izrael!
15 Pastë mundësi ai të rimëkëmbë jetën tënde dhe u bëftë mbështetja e pleqërisë sate, sepse e ka lindur nusja jote që të do dhe që vlen për ty më tepër se shtatë bij".
16 Pastaj Naomi e mori fëmijën, e vuri në gjirin e saj dhe u bë taja e saj.
17 Fqinjët i vunë një emër dhe thonin: "I lindi një djalë Naomit!". E quajtën Obed. Ai qe ati i Isait, ati i Davidit.
18 Ja pasardhësit e Peretsit: Peretsit i lindi Hetsroni;
19 Hetsronit i lindi Rami; Ramit i lindi Aminadabi;
20 Aminadabit i lindi Nahshoni; Nahshonit i lindi Salmoni;
21 Salmonit i lindi Boazi; Boazit i lindi Obedi;
22 Obedit i lindi Isai dhe Isait i lindi Davidi.
17 Pastaj, pasi zbriti bashkë me ta, ndaloi në një vend të sheshtë, me turmën e dishepujve të vet dhe me një numër të madh njerëzish nga gjithë Judea, nga Jeruzalemi dhe nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar atë dhe për t’u shëruar nga sëmundjet e veta;
18 Por edhe ata që i mundonin frymërat e ndyrë shëroheshin.
19 E gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse prej tij dilte një fuqi që i shëronte të gjithë.
20 Ai, si i drejtoi sytë nga dishepujt e vet, thoshte: “Lum ju, të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.”
21 Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni.
22 Lum ju, kur njerëzit do t’ju urrejnë, do t’ju mallkojnë dhe do t’ju fyejnë, do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut.
23 Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; në të njëjtën mënyrë, pra, etërit e tyre i trajtonin profetët.
24 Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj!
25 Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani!
26 Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë.