Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
7 O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.
8 Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
9 Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.
10 Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.
11 O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi.
12 Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi, sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë, njerëz që duan dhunën.
13 Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!
14 Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.
49 Pastaj Jakobi thirri bijtë e tij dhe tha: "Mblidhuni që unë t’ju njoftoj çfarë do t’ju ndodhë në ditët e ardhshme.
2 Mblidhuni dhe dëgjoni, o bijtë e Jakobit! Dëgjoni Izraelin, atin tuaj!
8 Judë, vëllezërit e tu do të të lavdërojnë; dora jote do të jetë mbi zverkun e armiqve të tu; bijtë e atit tënd do të përkulen para teje.
9 Juda është një luan i ri; ti zë fill nga preja, biri im; ai përkulet, struket si një luan, si një luaneshë; kush guxon ta zgjojë?
10 Skeptri nuk do t’i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, deri sa të vijë Shilohu; dhe atij do t’i binden popujt.
11 Ai e lidh gomarin e tij të vogël në pjergull dhe kërriçin e gomaricës së tij në pjergullën më të mirë; i lan rrobat e tij në verë dhe mantelin e tij në gjakun e rrushit.
12 Ai i ka sytë të ndritura nga vera dhe dhëmbët e bardha nga qumështi.
13 Zabuloni do të banojë në breg të deteve; dhe do të përbëjë një vendstrehim për anijet; kufiri i tij do të zgjatet drejt Sidonit.
21 Neftali është një drenushe e lënë e lirë, ai thotë fjalë të bukura.
22 Jozefi është një degë e një druri frytdhënës; një degë e një druri frytdhënës që ndodhet pranë një burimi; degët e tij shtrihen mbi murin.
23 Harkëtarët e kanë provokuar, i kanë hedhur shigjeta, e kanë ndjekur;
24 por harku i tij ka mbetur i fortë; krahët e tij janë përforcuar nga duart e të Fuqishmit të Jakobit (e atij që është bariu dhe shkëmbi i Izraelit),
25 nga Perëndia e atit tënd që do të të ndihmojë dhe nga Shumë i Larti që do të të bekojë me bekimet e qiellit nga lart, me bekimet e humnerës që ndodhet poshtë, me bekimet e sisëve dhe gjirit të nënës.
26 Bekimet e atit tënd ua kalojnë bekimeve të të parëve të mi, deri në majat e kodrave të përjetshme. Ata do të jenë mbi kryet e Jozefit dhe mbi kurorën e atij që u nda nga vëllezërit e tij.
67 Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:
68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;
69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë
71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,
72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,
73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,
74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë,
75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.
76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,
77 për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;
78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,
79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes.”