Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
42 "Ja shërbëtori im, që unë përkrah, i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin. Kam vënë Frymën time mbi të; ai do t’ju sjellë drejtësinë kombeve.
2 Nuk do të bërtasë, nuk do ta ngrerë zërin, nuk do të bëjë të dëgjohet zëri i tij nëpër rrugë.
3 Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.
4 Ai nuk do të ligështohet dhe nuk do të dekurajohet; deri sa të vendosë drejtësinë mbi tokë; dhe ishujt do të presin ligjin e tij".
5 Kështu thotë Perëndia, Zoti, që ka krijuar qiejtë dhe i ka shpalosur, që ka shtruar tokën dhe gjërat që ajo prodhon, që i jep frymëmarrje popullit dhe jetë atyre që ecin në të:
6 "Unë, Zoti, të kam thirrur sipas drejtësisë dhe do të të zë për dore, do të të ruaj dhe do të bëj aleancën e popullit dhe dritën e kombeve,
7 për t’u hapur sytë të verbërve, për të nxjerrë nga burgu të burgosurit dhe ata që dergjen në terr.
8 Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.
9 Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë".
29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.
2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.
3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.
4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.
5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;
6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.
7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.
8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".
10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.
11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.
34 Atëherë Pjetri hapi gojën dhe tha: “Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm;
35 por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai,
36 sipas fjalës që ai u ka dhënë bijve të Izraelit, duke u shpallur paqen me anë të Jezu Krishtit, që është Zoti i të gjithëve.
37 Ju e dini se ç’ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni:
38 se si Perëndia vajosi me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi Jezusin prej Nazareti, i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli, sepse Perëndia ishte me të.
39 Dhe ne jemi dëshmitarë për të gjitha ato që ai bëri në vendin e Judesë dhe në Jeruzalem; dhe se si ata e vranë, duke e varur në një dru.
40 Por Perëndia e ringjalli të tretën ditë dhe e bëri që ai të dëftohet,
41 jo mbarë popullit, por dëshmitarëve të paracaktuar nga Perëndia, neve, që hëngrëm dhe pimë me të, mbasi ai u ngjall së vdekuri.
42 Tani ai na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë se ai është ai që Perëndia e ka caktuar si gjykatës të të gja-llëve dhe të të vdekurve.
43 Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij.”
13 Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij.
14 Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?.”
15 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: “Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi.” Atëherë ai e lejoi.
16 Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të;
17 dhe ja një zë nga qielli që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”