Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 29

29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.

I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.

Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.

Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.

Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;

i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.

Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.

Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.

Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".

10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.

11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.

1 i Samuelit 3:10-4:1

10 Pastaj Zoti erdhi, u vendos aty afër dhe thirri si herët e tjera: Samuel, Samuel!!". Samueli u përgjegj: "Folë, sepse shërbëtori yt të dëgjon".

11 Atëherë Zoti i tha Samuelit: "Ja, jam duke bërë në Izrael një gjë që do të shungullojë veshët e kujtdo që ka për ta dëgjuar.

12 Atë ditë unë do të kryej kundër Eliut të gjitha ato që thashë lidhur me shtëpinë e tij, nga fillimi deri në fund.

13 Po i deklaroj që jam bërë gati të ndëshkoj shtëpinë e tij për gjithnjë, për shkak të paudhësisë që e karakterizon, sepse bijtë e tij janë bërë të neveritshëm dhe ai nuk i ka frenuar.

14 Prandaj unë i betohem shtëpisë së Elit që paudhësia e shtëpisë së Elit nuk do të shlyhet kurrë me flijime dhe me blatime".

15 Samueli mbeti i shtrirë deri në mëngjes, pastaj hapi dyert e shtëpisë së Zotit. Ai kishte frikë t’i tregonte Elit vegimin e tij.

16 Por Eli thirri Samuelin, duke thënë: "Samuel, biri im!". Ai u përgjegj: Ja ku jamm".

17 Ai tha: "Çfarë të tha? Të lutem, mos më fshih asgjë. Perëndia veproftë ashtu me ty, madje edhe më keq, në rast se ti më fsheh diçka nga të gjitha ato që të tha".

18 Samueli ia tregoi atëherë të gjitha, pa i fshehur asgjë. Dhe Eli tha: Ai është Zoti; le të bëjë atë që i pëlqen atijj".

19 Ndërkaq Samueli rritej; dhe Zoti ishte me të dhe nuk la të shkonin kot asnjë nga fjalët e tij.

20 Tërë Izraeli, nga Dani deri tek Beer-Sheba, mësoi që Samueli ishte bërë profet i Zotit.

21 Zoti vazhdonte t’i shfaqej në Shiloh, sepse në Shiloh Zoti i shfaqej Samuelit me anë të fjalës së vet.

Fjala e Samuelit i drejtohej tërë Izraelit. Izraeli doli të luftojë kundër Filistejve dhe ngriti kampin e tij pranë Eben-Ezerit, ndërsa Filistejtë u vendosën pranë Afekut.

Veprat e Apostujve 9:10-19

10 Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: “Anania!.” Dhe ai u përgjigj: “Ja ku jam, Zot!.”

11 Dhe Zoti i tha: “Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;

12 ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t’ia kthyer dritën e syve.”

13 Atëherë Anania u përgjigj: “O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.

14 Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd.”

15 Por Zoti i tha: “Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.

16 Sepse unë do t’i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim.”

17 Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: “Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë.”

18 Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.

19 Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.