Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 72

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.

Zanafilla 28:10-22

10 Dhe Jakobi u nis në Beer-Sheba dhe shkoi në drejtim të Haranit.

11 Arriti në një farë vendi dhe aty kaloi natën, sepse dielli kishte perënduar. Atëherë mori një nga gurët e atij vendi, e vuri nën krye të tij dhe aty ra në gjumë.

12 Dhe pa në ëndërr një shkallë të mbështetur mbi tokë, maja e së cilës prekte qiellin; dhe ja engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin në të.

13 Dhe ja, Zoti ndodhej në majë të saj dhe i tha: "Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, babait tënd, dhe Perëndia i Isakut; tokën mbi të cilën je shtrirë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu;

14 dhe pasardhësit e tu do të jenë si pluhur i tokës, dhe ti do të shtrihesh në perëndim dhe në lindje, në veri dhe në jug; dhe tërë familjet e tokës do të bekohen nëpërmjet teje dhe pasardhësve të tu.

15 Dhe ja, unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të vesh, dhe do të të sjell përsëri në këtë vend; sepse nuk do të të braktis para se të bëj atë që të kam thënë".

16 Atëherë Jakobit i doli gjumi dhe tha: "Me siguri Zoti është në këtë vend dhe unë nuk e dija".

17 Dhe pati frikë e tha: "Sa i tmerrshëm është ky vend! Kjo nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë, dhe kjo është porta e qiellit!".

18 Kështu Jakobi u ngrit herët në mëngjes, mori gurin që kishte vënë nën krye të vet, e ngriti si një përmendore dhe derdhi vaj mbi majën e saj.

19 Dhe e quajti këtë vend Bethel, kurse më parë emri i qytetit ishte Luc.

20 Pastaj Jakobi lidhi një kusht duke thënë: "Në qoftë se Perëndia do të jetë me mua dhe do të më mbrojë gjatë këtij udhëtimi që jam duke bërë, në qoftë se do të më japë bukë për të ngrënë dhe rroba për t’u mbuluar,

21 dhe do të kthehem në shtëpinë e babait tim në paqe, atëherë Zoti do të jetë Perëndia im;

22 dhe ky gur që kam ngritur si përmendore, do të jetë shtëpia e Perëndisë; dhe nga të gjitha ato që do të më japësh, unë do të japë të dhjetën"

Hebrenjve 11:13-22

13 Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.

14 Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe.

15 Dhe, po ta kishin pasur në mend atë nga e cila kishin dalë, do të kishin gjetur kohë të ktheheshin atje.

16 Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.

17 Me anë të besimit Abrahami, pasi u vu në provë, ofroi Isakun dhe ai që kishte pritur premtimet ofroi birin e tij të vetëm,

18 ndonëse Perëndia i pati thënë: “Te Isaku do të quhet pasardhja jote (që do të mbajë emrin tënd),”

19 sepse Abrahami mendonte se Perëndia ishte i fuqishëm sa ta ringjallte edhe prej së vdekurish; prej të cilëve edhe e mori atë përsëri si një lloj figure.

20 Me anë të besimit Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun, për gjërat që do të ndodhnin.

21 Me anë të besimit Jakobi, duke vdekur, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi duke u mbështetur mbi majën e shkopit të tij.

22 Me anë të besimit Jozefi, duke vdekur, përmendi eksodin e bijve të Izraelit dhe dha porosi për eshtrat e tij.