Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
20 Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart.
2 Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni;
3 Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela)
4 Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua.
5 Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua.
6 Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.
7 Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.
8 Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë.
9 Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim.
15 Kështu thotë Zoti: "U dëgjua një zë në Ramah, një vajtim dhe një e qarë e hidhur: Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet për ta, sepse ata nuk janë më".
16 Kështu thotë Zoti: "Mbaje zërin tënd nga e qara, sytë e tu nga të derdhurit lot, sepse vepra jote do të shpërblehet," thotë Zoti; "ata do të kthehen nga vendi i armikut.
17 Ka shpresa për pasardhësit e tu," thotë Zoti; "bijtë e tu do të kthehen brenda kufijve të tyre.
18 Kam dëgjuar vazhdimisht Efraimin të ankohet: "Ti më ke dënuar dhe unë jam dënuar si një dem i ri i panënshtruar; më bëj të kthehem dhe unë do të kthehem, sepse ti je Zoti, Perëndia im.
19 Mbasi mora rrugë të keqe, u pendova; mbasi e pranova gjendjen time, kam rrahur ijën time. Më erdhi turp dhe ndjeva hutim, sepse mbaj turpin e rinisë sime".
20 A është, pra, Efraimi një bir i dashur për mua, një bir i kënaqësive të mia? Në fakt, megjithëse kam folur kundër tij, e kujtoj akoma fort. Prandaj të përbrendshmet e mia mallëngjehen për të dhe me siguri do të kem mëshirë për të," thotë Zoti.
21 "Ngreh për vete disa trungje, bëj disa shtylla treguese, ki shumë kujdes për rrugën, për udhën që ke ndjekur. Kthehu, o virgjëreshë e Izraelit, kthehu në këto qytete të tua.
22 Deri kur do të shkosh duke u endur, o bijë rebele? Sepse Zoti krijon një gjë të re mbi tokë: gruan që kërkon ta bëjë për vete burrin".
41 Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të,
42 duke thënë: “Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.
43 Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët.
44 Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s’do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar.”