Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Samuelit 2:1-10

Atëherë Ana u lut dhe tha: "Zemra ime ngazëllohet në Zotin, forca ime ngrihet tek i Zoti; goja ime hapet kundër armiqve të mi, sepse gëzohem nga shpëtimi yt.

Nuk ka asnjë të shenjtë si Zoti, sepse nuk ka asnjë tjetër vëç teje, nuk ka asnjë shkëmb si Perëndia ynë.

Mos vazhdoni të flisni me aq mburrje; të mos dalin fjalë arrogante nga goja juaj, sepse Zoti është Perëndia i njohjes dhe ai i peshon veprimet.

Dhe harqet e të fuqishmëve thyhen, ndërsa të dobëtit janë pajisur me forcë.

Ata që ishin të ngopur shkojnë si punëtorë ditorë për një copë bukë, ndërsa ata që ishin të uritur nuk vuajnë më nga uria. Madje edhe ajo që ishte shterpë, ka pjellë shtatë herë, ndërsa ajo që ka shumë fëmijë është dobësuar.

Zoti të bën të vdesësh dhe të bën të jetosh; të zbret në Sheol dhe të ngjit që andej.

Zoti të varfëron dhe të pasuron, ai të poshtëron dhe ai të lartëson.

Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe e heq të varfërin nga plehrat, në mënyrë që të ulet me princat dhe të trashëgojnë një fron lavdie; sepse shtyllat e dheut i përkasin Zotit, dhe mbi to ai ka mbështetur botën.

Ai ruan rrugën që bëjnë shenjtorët e tij, por të pafetë do të vdesin në errësirë, sepse njeriu nuk do të mbizotërojë me anë të forcës.

10 Kundërshtarët e Zotit do të copëtohen; ai do të gjëmojë kundër tyre nga qielli. Zoti do të gjykojë popujt deri në skajet e tokës, do t’i japë forcë mbretit të tij dhe do ta lartojë forcën e të vajosurit të tij".

Zanafilla 21:1-21

21 Zoti vizitoi Sarën, siç i kishte thënë; dhe Zoti i bëri Sarës ato që i kishte premtuar.

Dhe Sara u ngjiz dhe lindi një djalë me Abrahamin në pleqërinë e tij, në kohën e caktuar që Perëndia i kishte thënë.

Dhe Abrahami ia vuri emrin Isak birit që i kishte lindur dhe që Sara kishte pjellë.

Pastaj Abrahami e rrethpreu birin e tij Isak kur ishte tetë ditësh, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia.

Por Abrahami ishte njëqind vjeç, kur i lindi biri i tij Isaku.

Dhe Sara tha: "Perëndia më ka dhënë çka duhet për të qeshur, kushdo që do ta dëgjojë ka për të qeshur bashkë me mua".

Dhe tha gjithashtu: "Kush mund t’i thoshte Abrahamit që Sara do të mëndte fëmijë? Sepse unë i linda një djalë në pleqërinë e tij".

Kështu, pra, fëmija u rrit dhe u zvordh; dhe ditën që Isaku u zvordh Abrahami shtroi një gosti të madhe.

Tani Sara pa që djali që i kishte lindur Abrahamit nga Agari, egjiptasja, qeshte.

10 Atëherë ajo i tha Abrahamit: "Përzëre këtë shërbyese dhe birin e saj, sepse i biri i kësaj shërbyese nuk duhet të jetë trashëgimtar me birin tim, me Isakun".

11 Kjo gjë s’i pëlqeu aspak Abrahamit, për shkak të djalit të tij.

12 Por Perëndia i tha Abrahamit: "Mos u hidhëro për shkak të djalit dhe të shërbyeses sate; dëgjo tërë ato që të thotë Sara, sepse nga Isaku do të dalin pasardhës që do të mbajnë emrin tënd.

13 Edhe nga djali i kësaj shërbyeses unë do të bëj një komb, sepse është një pasardhës i yt".

14 Abrahami u ngrit herët në mëngjes, mori bukë dhe një calik ujë dhe ia dha Agarit; vuri gjithçka mbi shpatullat e saj dhe e nisi bashkë me fëmijën. Kështu ajo u nis dhe filloi të bredhë nëpër shkretëtirën e Beer-Shebas.

15 Kur uji i calikut mbaroi, ajo e vuri fëmijën poshtë një kaçubeje.

16 Dhe shkoi e u ul përballë tij, në një largësi sa një goditje me hark, sepse thoshte: "Nuk dua ta shoh fëmijën të vdesë!" Kështu ajo u ul përballë tij, ngriti zërin dhe qau.

17 Dhe Perëndia dëgjoi zërin e djaloshit dhe engjëlli i Perëndisë thirri Agarin nga qielli dhe i tha: "Çfarë ke, Agar? Mos ki frikë, se Perëndia ka dëgjuar zërin e djaloshit aty ku ndodhet.

18 Çohu, çoje djaloshin dhe mbaje fort me dorën tënde, sepse unë do të bëj prej tij një komb të madh".

19 Atëherë Perëndia ia hapi sytë dhe ajo pa një pus uji: kështu vajti të mbushë calikun me ujë dhe i dha të pijë djaloshit.

20 Dhe Perëndia qe me djaloshin; ai u rrit, banoi në shkretëtirë dhe u bë shenjëtar harku.

21 Ai banoi në shkretëtirën e Paranit dhe nëna e tij e martoi me një grua nga Egjipti.

Galatasve 4:21-5:1

21 Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?

22 Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira.

23 Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit.

24 Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari.

25 Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj.

26 Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.

27 Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin.”

28 Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.

29 Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.

30 Po çfarë thotë shkrimi? “Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës.”

31 Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.

Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.