Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.
2 Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?
3 Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
4 Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.
5 Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.
6 O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.
7 Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.
8 Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.
9 Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".
10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
8 Fjala e Zotit të ushtrive m’u drejtua përsëri, duke thënë:
2 Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë jam shumë xheloz për Sionin, po, unë digjem nga xhelozia për të".
3 Kështu thotë Zoti: "Unë do të kthehem në Sion dhe do të banoj në mes të Jeruzalemit. Jeruzalemin do ta quajnë Qytet të besnikërisë dhe malin e Zotit të ushtrive, mal të shenjtërisë".
4 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Nëpër sheshet e Jeruzalemit do të ulen akoma pleq e plaka, secili me shkopin e vet në dorë për shkak të moshës së shtyrë.
5 Sheshet e qytetit do të jenë plot e përplot me djem dhe vajza që do të lozin në sheshet e tij".
6 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në se kjo duket shumë e vështirë në sytë e atyre që kanë mbetur nga ky popull ndër këto ditë, a do të jetë gjithashtu tepër e vështirë për sytë e mi?," thotë Zoti i ushtrive.
7 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do ta shpëtoj popullin tim nga vendi i lindjes dhe nga vendi i perëndimit.
8 Unë do t’i bëj të vijnë dhe ata do të banojnë në Jeruzalem; ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre me besnikëri dhe drejtësi".
9 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Duart tuaja le të jenë të fuqishme, ju që dëgjoni në këto ditë këto fjalë nga goja e profetëve që ishin në kohën kur po hidheshin themelet e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mund të rindërtohej tempulli.
10 Përpara asaj kohe nuk kishte pagesë për njeriun dhe pagesë për kafshët; nuk kishte fare siguri për këdo që shkonte ose vinte për shkak të armikut; unë vet, pra, i vija gjithë njerëzit kundër njeri tjetrit.
11 Por tani nuk do të jem më me ata të mbeturit nga ky popull siç kam qenë në kohërat e shkuara," thotë Zoti i ushtrive.
12 "Sepse do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t’u japin vesën e tyre. Do t’i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave.
13 Dhe do të ndodhë që, ashtu si ishit një mallkim midis kombeve, o shtëpi e Judës dhe shtëpi e Izraelit, kështu, kur t’ju shpëtoj, do të jeni një bekim. Mos u trembni, duart tuaja le të jenë të fuqishme!".
14 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ashtu si vendosa t’ju bëj keq kur etërit tuaj më provokuan zemërimin," thotë Zoti i ushtrive, "dhe nuk u pendova,
15 kështu, këto ditë kam vendosur rishtas t’i bëj mirë Jeruzalemit dhe shtëpisë së Judës. Mos u trembni!
16 Këto janë gjërat që duhet të bëni: i flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij, në portat tuaja jepni gjykime me vërtetësi, drejtësi dhe paqe.
17 Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej, thotë Zoti".
14 Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.
15 Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t’u shërbejë.
16 Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,
17 që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: “Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona.”
28 Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e Gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.
29 Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: “Ç’është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?.”
30 Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.
31 Dhe demonët iu lutën duke i thënë: “Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash.”
32 Dhe ai u tha atyre: “Shkoni!.” Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.
33 Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.
34 Dhe ja, gjithë qyteti i doli para Jezusit; dhe, kur e panë, iu lutën që të largohej prej vendit të tyre.