Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.
3 Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.
4 Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.
5 Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.
6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.
7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.
19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.
19 O popull i Sionit që banon në Jeruzalem, ti nuk do të qash më. Ai do të të bëj nder me siguri; duke dëgjuar zërin e britmës sate; sapo të të dëgjojë, do të përgjigjet.
20 Edhe sikur Zoti t’ju japë bukën e ankthit dhe ujin e shtypjes, megjithatë ata që të mësojnë nuk do të duhet të fshihen, dhe sytë e ty do të shohin mësuesit e tu.
21 Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: "Kjo është rruga, ecni në të!".
22 Konsiderojini si të papastra shëmbëlltyrat tuaja të gdhendura të veshura me argjend dhe shëmbëlltyrat tuaja prej metali të derdhur të veshura me ar; do t’i flakni tutje si një gjë e papastër, "Jashtë!," do t’u thoni atyre.
23 Atëherë ai do t’i japë shiun për farën tënde që do të kesh mbjellë në tokë; dhe buka që toka do të prodhojë do të jetë e shijshme dhe e bollshme; atë ditë bagëtia jote do të kullosë në kullota të gjera.
24 Qetë dhe gomarët që punojnë tokën do të hanë forazhin me kripë, të ajrosur me lopatën e drithit.
25 Mbi çdo mal të lartë dhe mbi çdo kodër të lartë do të ketë rrëke dhe rrjedha uji ditën e masakrës së madhe, kur do të rrëzohen kullat.
26 Drita e hënës do të jetë si drita e diellit, dhe drita e diellit do të jetë shtatë herë më e fortë, si drita e shtatë ditëve, ditën kur Zoti do të lidhë plagën e popullit të tij dhe do të shërojë plagën e shkaktuar nga goditjet e tij.
16 Atëherë Pali u ngrit dhe, mbasi bëri shenjë me dorë, tha: “Izraelitë dhe ju që druani Perëndinë, dëgjoni!
17 Perëndia e këtij populli të Izraelit i zgjodhi etërit tanë, dhe e bëri të madh popullin gjatë qëndrimit në vendin e Egjiptit; pastaj, me krahë të fuqishëm, e nxori që andej.
18 Dhe për afro dyzet vjet i duroi në shkretëtirë.
19 Pastaj shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kanaanit dhe ua shpërndau atyre në trashëgimi vendin e tyre.
20 Dhe pastaj, për afro katërqind e pesëdhjetë vjet, u dha Gjyqtarë deri te profeti Samuel.
21 Më pas ata kërkuan një mbret; dhe Perëndia u dha atyre Saulin, birin e Kisit, një burrë nga fisi i Beniaminit, për dyzet vjet.
22 Pastaj Perëndia e hoqi dhe u ngjalli atyre si mbret Davidin, për të cilin dha dëshmi duke thënë: "Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia".
23 Prej farës së këtij Perëndia, sipas premtimit të vet, i ka ngjallur Izraelit Shpëtimtarin Jezus.
24 Para ardhjes së tij, Gjoni predikoi një pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit.
25 Dhe, kur Gjoni po e përfundonte misionin e tij, tha: "Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam Krishti; por ja, pas meje vjen një, të cilit unë nuk jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve".