Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Luka 1:68-79

68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;

69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë

71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,

72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,

73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,

74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë,

75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.

76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,

77 për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;

78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,

79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes.”

Jeremia 21

21 Fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti, kur mbreti Sedekia i dërgoi Pashhurin, birin e Malkiahut dhe Sofonien, birin e Malklahut, priftit, për t’i thënë:

"Konsulto, pra, për ne Zotin, sepse Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, bën luftë kundër nesh. Ndofta Zoti do të veprojë me ne sipas të gjitha mrekullive të tij, dhe ai do të tërhiqet nga ne".

Atëherë Jeremia u tha atyre: "Do t’i thoni kështu Sekedias:

Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të bëj që të tërhiqen armët e luftës që janë në duart tuaja, me të cilat po luftoni kundër mbretit të Babilonisë, kundër Kaldeasve që ju rrethojnë jashtë mureve, dhe do t’i grumbulloj në mes të këtij qyteti.

Unë vetë do të luftoj kundër jush me dorën e shtrirë dhe me krahë të fuqishëm, me zemërim, me tërbim dhe me indinjatë të madhe.

Do t’i qëlloj banorët e këtij qyteti, si njerëzit ashtu edhe kafshët; ata do të vdesin nga një murtajë e madhe.

Mbas kësaj," thotë Zoti, "do të jap Sedekian, mbretin e Judës, dhe shërbëtorët e tij, popullin dhe ata që në këtë qytet do të kenë shpëtuar nga murtaja, nga shpata nga uria, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, në dorë të armiqve të tyre dhe në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre. Ai do t’i vrasë me shpatë: nuk ka për t’i falur, as nuk do t’i vijë keq dhe as nuk do të ketë mëshirë për ta.

Dhe këtij populli do t’i thuash: Kështu thotë Zoti: Ja, unë vë para jush rrugën e jetës dhe rrugën e vdekjes.

Ai që mbetet në këtë qytet ka për të vdekur nga shpata, nga uria dhe nga murtaja; por ai që ka për të dalë dhe do t’u dorëzohet Kaldeasve që ju rrethojnë ka për të jetuar dhe do të ketë si pre jetën e tij.

10 Sepse unë e kam kthyer fytyrën time kundër këtij qyteti për fat të keq dhe jo për të mirë," thotë Zoti. "Ai do t’i jepet në dorë mbretit të Babilonisë dhe ai do ta djegë me zjarr".

11 Në shtëpinë e mbretërve të Judës do të thuash: "Dëgjoni fjalën e Zotit:

12 O shtëpia e Davidit," kështu thotë Zoti: "Ushtroni drejtësinë që në mëngjes dhe çliroheni atë që e kanë vjedhur nga dora e shtypësit, me qëllim që zemërimi im të mos shpërthejë si zjarr dhe të djegë pa qenë njeri në gjendje ta shuajë, për të shkak të ligësisë së veprimeve tuaja.

13 Ja ku jam kundër teje, o banuese e luginës, shkëmb i fushës," thotë Zoti. "Ju që thoni: "Kush do të zbresë kundër nesh? Kush ka për të hyrë në banesat tona?,"

14 unë do t’ju dënoj sipas frytit të veprimeve tuaja," thotë Zoti, "dhe do t’i vë zjarr pyllit të tij, që do të gllabërojë të gjitha gjërat që ka përreth".

Hebrenjve 9:23-28

23 Ishte, pra, e nevojshme që format e gjërave qiellore të pastroheshin me këto gjëra; por vetë gjerat qiellore me flijime më të mira se këto.

24 Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne,

25 dhe jo për ta kushtuar si fli veten e vet shumë herë, sikurse kryeprifti që hyn vit për vit në shenjtërore me gjak që s’është i veti,

26 sepse përndryshe ai duhet të pësonte shumë herë që kur se u krijua bota; por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes.

27 Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi,

28 kështu edhe Krishti, pasi u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatët e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim.