Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
12 Atë ditë do të thuash: "Unë të kremtoj, o Zot. Edhe pse ishe i zemëruar me mua, zemërimi yt me mua u qetësua dhe më ka ngushëlluar.
2 Ja, Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë, sepse Zoti, po, Zoti është forca ime dhe kantiku im, dhe ka qenë shpëtimi im".
3 Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit.
4 Atë ditë do të thoni: "Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar.
5 Këndojini lavde Zotit, sepse ka bërë gjëra të madhërishme; kjo të dihet mbi gjithë tokën.
6 Bërtit dhe ngazëllohu nga gëzimi, o banore e Sionit, sepse i madh është i Shenjti i Izraelit në mes tuaj".
59 Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar.
2 Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më.
3 Sepse duart tuaja janë ndotur me gjak dhe gishtërinjtë tuaj me paudhësi; buzët tuaja thonë gënjeshtra, gjuha juaj pëshpërit çoroditje.
4 Askush nuk çel padi me drejtësi, askush nuk e mbron me të vërtetën; kanë besim te fjalët boshe dhe thonë gënjeshtrën, mendojnë të keqen dhe pjellin paudhësinë.
5 Bëjnë që të çelin vezët e nepërkës dhe tjerrin rrjeta merimangash; ai që ha nga vezët e tyre vdes, dhe nga veza e shtypur del jashtë një nepërkë.
6 Rrjetat e tyre nuk do të bëhen rroba, as nuk do të mbulohen me atë që kanë bërë. Veprat e tyre janë vepra paudhësie dhe në duart e tyre ka veprime dhune.
7 Këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes dhe shpejtojnë të derdhin gjak të pafaj; mendimet e tyre janë mendime paudhësie; në shtigjet e tyre ka pikëllim dhe shkatërrim.
8 Rrugën e paqes nuk e njohin dhe nuk ka ndershmëri në rrugët e tyre; i bëjnë dredharake shtigjet e tyre dhe secili që ecën nëpër to nuk njeh paqe.
9 Prandaj ndershmëria është larg nesh dhe drejtësia nuk arrin deri te ne; prisnim dritën, por ja që erdhi errësira, prisnim shkëlqimin, por ja që ecim në errësirë.
10 Prekim murin si të verbërit, ecim verbazi sikur të ishim pa sy; pengohemi në mesditë sikur të ishte mugëtirë; në vende të shkretuara jemi si të vdekur.
11 Ne të gjithë ulërijmë si arinj dhe vazhdojmë të rënkojmë si pëllumbesha, presim të vijë ndershmëria, por ajo nuk vjen; shpëtimin, por ai është larg nesh.
12 Sepse shkeljet tona janë shumuar para teje dhe mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh, sepse shkeljet tona na rrinë përpara dhe fajet tona i njohim:
13 duke u rebeluar dhe duke mohuar Zotin, duke mos e ndjekur më Perëndinë tonë, duke folur për shtypje dhe kryengritje, duke i dhënë dhe duke murmuritur në zemër fjalë të rreme.
14 Ndershmëria është larguar dhe drejtësia ka mbetur larg, sepse e vërteta nuk ndodhet më në shesh dhe paanësia nuk mund të hyjë në të.
15 Kështu e vërteta është zhdukur, dhe ai që tërhiqet nga e keqja bëhet një pre e lehtë. Zoti e pa këtë dhe i erdhi keq që nuk ka më ndershmëri.
3 Ne e kemi për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, sikurse është fort e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po tepron,
4 aq sa ne vetë po krenohemi me ju në kishat e Perëndisë, për qëndresën tuaj dhe për besimin në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hiqni.
5 Ky është një dëftim i gjyqit të drejtë të Përendisë, që ju të çmoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë për të cilën edhe vuani,
6 sepse është e drejtë, nga ana e Perëndisë, t’u jepet mundim atyre që po ju mundojnë,
7 kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet,
8 në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht.
9 Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij,
10 kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar, sepse dëshmia jonë tek ju u besua.
11 Edhe për këtë ne vazhdimisht po lutemi për ju, që Perëndia ynë t’ju bëjë të denjë për këtë thirrje dhe të përmbushë me fuqinë çdo qëllim të mirë dhe veprën e besimit,
12 që të lëvdohet emri i Zotit tonë Jezu Krisht në ju dhe ju në të, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe të Zotit Jezu Krisht.