Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 142

142 Unë i këlthas me zërin tim Zotit; me zërin tim i lutem Zotit.

Para tij paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time.

Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time. Ata kanë përgatitur një lak për mua te shtegu që po kaloja.

Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time.

Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.

Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë.

Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira".

Habakuku 3:1-16

Lutja e profetit Habakuk mbi Shigionothin.

"O Zot, unë dëgjova të folurën tënde dhe kam frikë; o Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve, bëje të njohur gjatë viteve. Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën.

Perëndia vinte nga Temani, i Shenjti nga mali Paran. Lavdia e tij mbulonte qiejt dhe toka ishte plot me lëvdimin e tij.

Shkëlqimi i tij ishte si drita, rreze si shkëndi dilnin nga dora e tij dhe aty fshihej fuqia e tij.

Para tij ecte murtaja dhe murtaja e ethshme ndiqte hapat e tij.

Ai ndalej dhe maste tokën, shikonte dhe i bënte kombet të dridheshin; malet e përjetshëm zhdukeshin, kodrat e lashta uleshin; rrugët e tij janë të përjetshme.

Unë i shikoja në dëshpërim çadrat e Kushanit, pavijonet e vendit të Madianit dridheshin.

O Zot, a merrte zjarr vallë zemërimi yt kundër lumenjve? A ishte zemërimi yt kundër lumenjve ose tërbimi yt kundër detit, kur shkoje hipur mbi kuajt e tu, mbi qerret e tua të fitores?

Ti e ke zbuluar plotësisht harkun tënd, sipas betimeve që ke bërë mbi shigjetat e tua. Ti e ke ndarë tokën me lumenjtë.

10 Malet të panë dhe u drodhën; uragani i ujit kaloi, humnera ka bërë të dëgjohet zëri i saj dhe ka ngritur duart lart.

11 Dielli dhe hëna kanë mbetur në banesën e tyre; në dritën e shigjetave të tua lëvizën me të shpejtë, në vetëtimën e ushtës sate flakëruese.

12 Ti e ke përshkuar dheun i indinjuar, i ke shkelur kombet i zemëruar.

13 Ke dalë për të shpëtuar popullin tënd, për të shpëtuar të vajosurin tënd; ti ke goditur kokën e shtëpisë së të pabesit, duke e nxjerrë lakuriq nga themelet e deri lart.

14 Ti ke shpuar me shigjetat e tua kokën e fshatrave të tij; ata kishin ardhur si një uragan për t’i shpërndarë, duke lëshuar britma gëzimi, sikur po gllabëronin të mjerin në fshehtësi.

15 Me kuajt e tu ke ecur përmes detit, nëpërmjet një mase të madhe ujërash.

16 Kam dëgjuar dhe të përbrendshmet e mia u drodhën dhe buzët e mia u drodhën në atë zë; një krimb hyri në kockat e mia dhe një frikë e madhe më pushtoi përbrenda. Megjithatë do të rri i qetë ditën e fatkeqësisë, që do t’i vijë popullit që e mësyn.

Juda 5-21

Dhe dua t’ju kujtoj, ndonëse tashmë i dini gjithë këto, se Zoti, pasi e shpëtoi popullin e tij nga vendi i Egjiptit, pastaj i shkatërroi ata që nuk besuan.

Ai i ruajti me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe, edhe engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë, po e lanë banimin e tyre,

posi Sodoma dhe Gomora edhe qytetet përreth, që u dhanë pas kurvërimit dhe u dhanë pas çoroditjesh seksuale, janë vënë përpara si shembull, duke pësuar ndëshkimin e një zjarri të përjetshëm;

në të njëjtën menyrë ndotin edhe këta ëndërrues mishin, përbuzin pushtetin dhe blasfemojnë kundër dinjiteteve.

Por kryeengjëlli Mikael, kur në kundërshtim me djallin debatonte për trupin e Moisiut, nuk guxoi të shqiptojë një gjykim fyes, por tha: “Zoti të qortoftë!.”

10 Kurse këta flasin keq për të gjitha gjërat që nuk i dinë, dhe për të gjitha gjërat që njohin në menyrë natyrale, si kafshë pa arësye, në këto gjëra prishin veten,

11 Mjerë ata, sepse kanë marrë rrugën e Kainit dhe u dhanë pas çoroditjes së Balaamit për fitim dhe mbaruan në rebelim e Koreut.

12 Këta janë njolla në agapit tuaja, kur hanë e pinë bashkë me ju pa druajtje duke kullotur veten e tyre; ata janë re pa ujë, të shtyrë andej këndej nga erërat, drurë vjeshte pa fruta, dyfish të vdekur, të shkulur me rrënjë,

13 valë deti të egra që shkumbëzojnë paudhësitë e tyre, yje të këputur për të cilët është ruajtur terri i errësirës për gjithmon.

14 Dhe për këta profetizoi edhe Enoku, i shtati pas Adamit, duke thënë: “Ja, Zoti erdhi me mijërat e tij të shenjtë,

15 për të bërë gjyqin kundër të gjithëve dhe për të bindur të gjithë të pabesët në mes tyre për të gjitha veprat e paudhësisë dhe për të gjitha fjalët fyese që mëkatarët e pabesë folën kundër tij.”

16 Këta janë murmuritës, që ankohen për fatin e tyre, që ecin sipas pasioneve të tyre; dhe goja e tyre flet fjalë krenarie dhe u bëjnë lajka njerëzve për dobi të vet.

17 Por ju, shumë të dashur, mbani mend fjalët që ju kanë parathënë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht.

18 Ata ju thoshnin që në kohën e fundit do të ketë tallës që do të ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë.

19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën.

20 Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë,

21 ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme.